Më shumë nëna të vetme kërkojnë të birësojnë, rriten kërkesat edhe nga emigrantët

Përpjekjet gjithmonë e më shumë për emancipimin e gruas, por edhe rënia e numrit të lindjeve, një problem ky global, ka ndikuar ndjeshëm edhe në uljen e numrit të fëmijëve të cilët kërkojnë të birësohen.
Alma Sulstarova, drejtoreshë e Komitetit të Birësimeve, thotë se kërkesat vijojnë të jenë të larta, veçanërisht nga emigrantët shqiptarë.
“E gjithë puna e bërë për emancipimin e vajzave dhe për fuqizimin e tyre ekonomik, për forcimin e familjes, kanë dhënë rezultat pozitiv. Shumë pak nga vajzat që kanë aksidente gjatë jetës vendosin të braktisin fëmijët e tyre. Pra, numri për këtë arsye është më i vogël. Kërkesat e mëdha nuk janë vetëm nga brenda vendit, nga çiftet shqiptare apo nënat e vetme, por edhe nga emigrantët tanë jashtë, dhe të huajt. Këtë vit kemi realizuar më shumë birësime se vitin e kaluara. Deri tani kemi realizuar 20 të tilla. Momenti më i gëzuar për ne ishte kur arritëm të birësojmë tre fëmijë nga njëjta familje, nga një familje e huaj”, shprehet Sulstarova.
Ajo ndalet edhe tek rastet e shtuara nga nëna të vetme, që janë të gatshme të birësojnë një fëmijë.
“Ka kërkesa pa fund për birësim nga nënat e vetme, të cilat ndihen në pozita të forta ekonomike. Gjithmonë e më tepër kuptojnë që janë të pavarura dhe kjo është nxitje për modelet që ekzistojnë. Unë në fakt i kam pyetur kur kam pasur mundësi dhe u kam thënë: ‘Nëse ty të shfaqet një mundësi për një partner apo një martesë, a nuk mendon që kjo mund të jetë një pengesë?’ Më është përgjigjur një dhe më ka ngelur në mendje: ‘Nëse ai partner nuk do të më pranojë bashkë me fëmijën, ai nuk është partneri i duhur për mua’”, tha Sulstarova.
Mbarëvajtja e çdo rasti ndiqet për dy vite me radhë nga komiteti, të cilët mbajnë kontakte të vazhdueshme me familjen birësuese. Ndërsa për birësimet që ndodhin jashtë vendit është agjencia ndërmjetësuese ajo që ndjek ecurinë e jetës që ka çdo fëmijë pas birësimit të tij.
Gazetare: Elda Hasanbelli
/rtsh.al/