E Diel, 1 Nëntor 2026

Më shumë reforma për fëmijët, Rama: Shtojmë mësuesit specialë për 16 mijë të vegjël me aftësi të veçanta

Në zhvillim të politikave sociale u mbajt sot në Tiranë, Konferenca Rajonale “Përshpejtimi i Reformave të Kujdesit për Fëmijët drejt Anëtarësimit në Bashkimin Europian”.

Kryeministri Edi Rama tha se Shqipëria ka bërë progres të dukshëm në kujdesin ndaj fëmijëve, ndërsa shtoi se synohet një përkujdesje e shtuar në buxhet dhe mësues për 16 mijë personat me aftësi të veçanta.

“Një nga pikat ky synojmë të bëjmë një hop sasior dhe cilësor në financim dhe organizim dhe ndërveprimit me partnerët e tjerë është adresimi i situatës së 16 mijë fëmijëve me aftësi të veçanta, të cilët janë përfitues të skemave të reja të mbështetjes, por  të cilët besoj unë në këtë fazë dhe kushtet kur mundësitë tona ekonomike rriten meritojnë rritje të mbështetjes nga ana jonë. Një rritje mbështetjeje e cila nuk është thjesht financiare por edhe institucionale. Për këtë ministria e Shëndetësisë dhe Arsimit po punojnë që të rrisin numrin e mësuesve specialë, sikundër dje kemi hapur një kapitull të ri në sistemin tonë të shërbimit shëndetësor me hapjen e klasave të para për fëmijët në spital, klasa mësimore dhe arti, që iu shërbejnë fëmijëve që të mos humbasin kontaktin me mësimin, por iu shërbejnë përmes një kurrikule speciale që të energjizohen me besim dhe bindjen se do t’ia dalin në betejën e sëmundjeve të tyre”, tha Rama.

Për Ambasadorin e Bashkimit Europian në Shqipëri,  Silvio Gonzato procesi i anëtarësimit nuk do të thotë vetëm miratimi Teknik i legjislacionit, por kërkon shndërrimin e të gjithë shoqërisë.

“E shikojmë garancinë për fëmijët si një nga programet më kyçe për të ofruar mbështetje për të rinjtë. Në mënyrë që fëmijët të kenë qasje efektive në shëndetësinë falas, në arsimin cilësor dhe të lirë, strehim me dinjitet por edhe ushqimin e duhur. Po të vëmë në prioritet mirëqenien e fëmijëve atëherë do të ketë zhvillim dhe ecuri më të mirë sociale. Nga këndvështrimi ekonomik duhet kontribut edhe për integrimin e tyre në tregun e punës dhe në jetën shoqërore, që tranzicioni nga shkolla në puna ta kalojnë më lehtë dhe duke iu ofruar mundësi më të mira ekonomike”, tha Gonzato.

Konferenca u organizua me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga vendet e Ballkanit Perëndimor – Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Kosova si një platformë e rëndësishme për forcimin e politikave sociale dhe mbrojtjes së fëmijëve në rajon./vizionplus.tv

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›