E Martë, 3 Nëntor 2026

Më shumë shërbime për sklerozën multiple, kërkohen fizioterapistë dhe psikologë

Në 2015, Tanushi u dianostikua me sklerozë multiple, një sëmundje autoimmune që dobëson muskujt, mund të prekë shikimin, ekuilibrin ose të japë mpirje.

“Pavarësisht se kjo sëmundje mund të më marrë shumë funksione në trup, por shpirtin nuk mund t’ua marrë kurrë. Unë vazhdova jetën time si më parë pa u ndalur as nga puna, as nga aktivitetet e mia, as nga pasionet e mia. Ndaj vendosa t’ia dal dhe të luftoj për të bashkëjetuar me të dhe për të bërë më të mirën për të qenë i pavarur,” shprehet ai.

Prof. Jera Kruja thotë së kjo sëmundje nuk ka shërim dhe prek moshat e reja në 40 vjeç.

“Ne jemi rreth 35 për 100 mijë banorë. Mosha mesatare e fillimit varion diku te 28–30 vjeç. Kemi edhe 15 vjeç, edhe 12 vjeç. Ende nuk ka një medikament të vetëm në botë që e shëron sëmundjen, por të gjitha janë tentativa për ta stabilizuar situatën,” thotë Prof. Kruja.

Për këta pacientë, nevojat për më shumë fizioterapistë dhe psikologë janë të ngutshme, ndërkohë që sipas Ministrisë të gjitha qendrat do të plotësohen deri në fund të vitit. 

“Pse në qendrat spitalore nuk ka shërbime fizioterapie për rehabilitimin e pacientëve? Mendoni se sa psikologë mbarojnë në Shqipëri, kurse në shërbimin parësor, dytësor e tretësor spitalor nuk ka psikolog,” tregon Tanushi.

“Qoftë fizioterapia, qoftë mbështetja psikologjike prej një viti ka filluar të ofrohet pranë qendrave shëndetësore. Nuk i kemi akoma të gjitha qendrat shëndetësore, rreth 400 që ka vendi, por jemi duke i plotësuar,” thotë doktoresha.

Pacientët kërkuan rishikim të listës së barnave me qëllim futjen e terapive të reja.

Gazetare: Sonila Mlloja

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›