Me sytë nga Europa/ Egnatia, Vllaznia, Dinamo City e Partizani kane “punë” në merkato

Kategoria Superiore ka nisur pushimet, pas mbylljes së sezonit që dha edhe verdiktet tij.
Por ky diskutim vlen për lojtarët, pasi në klube puna vazhdon për përgatitjen e edicionit të ardhshëm, që për skuadrat pjesmarrëse në Kupat e Europës nis më shpejt.
Egnatia do të luajë në raundin e parë eliminator të Champions, ndërsa Vllaznia, Dinamo City dhe Partizani do të përfaqësojnë futbollin shqiptar në raundin e parë kualifikues në Konference League.
Mes këtyre katër ekipeve, punën më të lehtë duket se e kanë kampionët e Superiores.
Gjatë sezonit, Egnatia tregoi se ishte skuadra më e kompletuar. Gjithsesi në klubin rrogozhinas duhet të merren më së shumti me rinovimin e disa prej lojtarëve të rëndësishëm. Nuk do të mungojnë përforcimet dhe i pari do të jetë në sulm. Kastriot Selmani do të bashkohet me Egnatian, pasi u shpall kampion i Kosovës me Dritën.
Më të impenjuara do të jenë tre skuadrat e tjera.
Vllaznia nuk humbi kohë, duke zyrtarizuar Edi Martinin si trajnerin e ri, por finalja e Kategorisë Superiore I konfirmoi drejtuesëve shkodranë se ekipi ka nevojë serioze për t’u përforcuar për Kupat e Europës.
I njëti diskutim vlen për Dinamo City dhe Partizani.
Dy klubet e kryeqytetit kanë në qendër të projektit dy trajnerët Skënder Gega e Ilir Daja.
Por që të dy teknikët kanë nevojë të plotësojnë skuadrat e tyre për të qenë gati në korrik, kur do të nisin edhe kualifikueset e Conference League.