Media shqiptare përballë ‘Dezinformimit’, Krasniqi: Raportim i duhur në informimin e publikut

TIRANË, 22 maj/ATSH/ Autoriteti i Mediave Audiovizive dhe organizata “Faktoje” përmbyllën sot me një tryezë projektin “Dezinformimi në kohë lufte dhe mjetet për verifikimin e përmbajtjeve”.
Tryeza bëri bashkë përfaqësues të shoqërisë civile, Parlamentit dhe gazetarë, të cilët u përfshinë në diskutime konstruktive mbi transparencën e pronësisë së medias online dhe forcimin e një gazetarie profesionale në shërbim të publikut.
Ky projekt ka përfshirë një cikël trajnimesh me gazetarë në qytetet e Tiranës, Elbasanit dhe Durrësit, të cilët janë njohur me të dhëna dhe informacione interesante dhe të vlefshme mbi luftën kundër fenomenit të Dezinformimit.
Kryetarja e AMA-s, Armela Krasniqi e cilësoi tryezën e stome produktive, teksa theksoi se “gjetjet e prezantuara sot nga “Faktoje” treguan se ndërgjegjësimi i gazetarëve për pasojat që sjell ky fenomen në deformimin e opinionit publik, është vetëm një hap, në një betejë që duhet marrë shumë seriozisht”.
“Nuk do të resht së bëri thirrje medias për raportim profesional, për dhënien e informacionit të konfirmuar nga shumë burime dhe të saktë, për përgjegjshmëri dhe rëndësinë që ka raportimi i duhur në informimin e publikut”, tha Krasniqi.
Krasniqi u shpreh se “jemi gjithmonë përkrah edhe të nismave të tilla si kjo e “Faktoje”, që realizoi një sërë trajnimesh të gazetarëve për fenomenin e Dezinformimit në kohë lufte, edhe pse kjo nuk hyn në fushën legjislative e as të ekspertizës tonë”.
Dezinformimi si fenomen nuk është i ri, por së fundmi, sidomos me mjetet e reja teknologjike që kanë gjetur zhvillim dhe përdorim në media, po përhapet për të ndikuar opinionin, politikat e vendimmarrjet e deri tek ndërhyrje në proceset zgjedhore.
Dezinformimi përcjell në mënyrë të qëllimshme mesazhe, përmbajtje të shkruara apo video sikundër narrativa që nuk i përgjigjen së vërtetës, dhe verifikimi i fakteve merr rëndësi në media për të shmangur sa më shumë ndikime të tilla.
Organizata “Faktoje” nga e cila u krye ky trajnim është organizata e parë dhe vetme e verifikimit të fakteve në Shqipëri. Puna e saj fokusohet kryesisht tek verifikimi i deklaratave dhe premtimeve të politikanëve si dhe tek verifikimi apo përgënjeshtrimi i narrativave dezinformuese në vend dhe rajon. Po ashtu, “Faktoje” fokusohet edhe në çështje globale që kanë interes publik të gjerë si psh lufta në Ukrainë, në Gaza etj.
1 nga 11/k.s/a.f/