E Martë, 3 Nëntor 2026

Megaoperacion antidrogë, 52 të arrestuar në Shqipëri dhe Itali

TIRANË, 21 maj/ATSH/ Një megaopracion antidrogë është finalizuar mes Policisë së Shqipërisë dhe asaj në Itali, ku janë arrestuar 52 persona.

Në një artikull të publikuar sot nga “Baritoday.it”, mësohet se “që prej orëve të para të mëngjesit është në zhvillim një megaoperacion kundër trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike, pastrimit të parave dhe shpërdorimit të detyrës, i udhëhequr nga Drejtoria Hetimore Antimafia e Barit dhe Autoritetet Shqiptare, me ndihmën e Interpol-it, Zyrës së Ekspertit për Sigurinë në Tiranë dhe Policisë Shqiptare.

Operacioni, i koduar “Ura”, ka çuar në ekzekutimin e dy urdhrave për masa sigurie ndaj 52 personave, të cilët akuzohen përfshirë në mënyra të ndryshme në trafikun ndërkombëtar të sasive të mëdha droge, pastrim parash dhe shpërdorim detyre.

Urdhrat janë lëshuar nga Gjykatësi për Hetimet Paraprake i Barit dhe Gjykata Speciale e Shkallës së Parë për Korrupsion dhe Krimin e Organizuar në Tiranë. Operacioni është nisur nga Prokuroria Antimafia e Barit (DDA) dhe Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Tiranë (SPAK), me koordinimin e Eurojust-it (Hagë) dhe Drejtorisë Kombëtare Antimafia dhe Antiterrorizëm në Romë.

Janë ekzekutuar gjithashtu urdhra për sekuestrimin e pasurive në Shqipëri dhe Itali, që përfshijnë pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, me një vlerë prej disa milionë eurosh.

Hetimi është pjesë e një projekti më të gjerë hetimor të përbashkët midis DDA-së së Barit dhe SPAK-ut të Tiranës, që synon të godasë trafikun e pandërprerë ndërkombëtar të kokainës dhe heroinës, i menaxhuar nga organizatat kriminale shqiptare, të cilat qarkullojnë sasi të mëdha droge mes Ballkanit, Evropës Veriore dhe rajonit të Pulias.

/a.f/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›