E Martë, 3 Nëntor 2026

Memorandum bashkëpunimi Shqipëri-Kinë në fushën olimpike

TIRANË, 27 qershor /ATSH/ Presidenti i Komitetit Olimpik kinez dhe ministër i Sportit, Gao Zhidan gjatë vizitës dyditore në Tiranë ka zhvilluar një takim në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit.

Shoqëruar nga Presidenti i KOKSH, Fidel Ylli, Sekretari i Përgjithshëm, Gerti Shima, delegacioni kinez është takuar me ministren e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, ku është diskutuar për Memorandumin e Bashkëpunimit mes dy Komiteteve Olimpike dhe investimet e bëra në sport.

Një vëmendje e veçantë gjatë bisedës i është kushtuar edhe mbështetjes që Qeveria Shqiptare përmes Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, po i bën Projektit të Ekipeve Sportive në Shkolla, si një investim i rëndësishëm për të ardhmen e sportit shqiptar.

Gjithashtu, presidenti i Komitetit Olimpik Shqiptar, Fidel Ylli dhe Presidenti i Komitetit Olimpik Kinez, Gao Zhidan, kanë firmosur një memorandum bashkëpunimi, me qëllim çuarjen më tej të shkëmbimeve dhe bashkëpunimit sportiv, si dhe promovimin e mirëkuptimit të ndërsjellë dhe miqësisë tradicionale midis dy vendeve dhe dy Komiteteve Olimpike.

Përmes këtij memorandumi do të inkurajohet shkëmbimi i eksperiencave të profesionistëve të sportit, në disiplina të ndryshme, trajnime, shkëmbime eksperiencash në administrim sportiv, si edhe një vëmendje e shtuar në shkencë dhe mjekësinë sportive, që do të realizohet përmes Universiteteve të Sportit të të dy vendeve.

Presidenti Fidel Ylli e cilësoi firmosjen e këtij Memorandumi një moment historik për sportin shqiptar dhe se ndihma që do të ofrojë Kina, si një superfuqi botërore, do të jetë shumë e vlefshme për federata dhe disiplina të ndryshme sportive.

Presidenti Gao Zhidan e vlerësoi përpjekjet e Komitetit Olimpik Shqiptar për të bashkëpunuar me Kinën dhe se Komiteti Olimpik Kinez e konsideron Komitetin Olimpik Shqiptar një partner të rëndësishëm.

1 nga 24

/gj.m/j.p/

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›