Mereme Sela shpërthen pas skualifikimit nga gara për kreun e PD: Do ta çoj në gjykatë, Berisha s’plotëson kriteret

Kandidatja për kryetare të Partisë Demokratike, Mereme Sela, ka reaguar ashpër pasi u skualifikua nga gara për drejtimin e selisë blu, duke e cilësuar procesin të manipuluar dhe në kundërshtim me statutin e partisë.
Në deklaratën e saj publike, Sela tha se njoftimin për skualifikimin e ka marrë përmes mediave, gjë që sipas saj është e papranueshme dhe dëshmi e mungesës së transparencës brenda Partisë Demokratike.
Ajo paralajmëroi se do t’i drejtohet Gjykatës së Tiranës për pezullimin e procesit zgjedhor, duke argumentuar se zgjedhjet për kreun e PD-së janë të paligjshme, të padrejta dhe të pabarabarta. Po ashtu, Sela deklaroi se do t’i drejtohet edhe SPAK për të hetuar atë që e quan “proces i korruptuar zgjedhor” brenda partisë.
Në reagimin e saj, kandidatja akuzoi Sali Berishën se ka marrë peng Partinë Demokratike dhe nuk lejon zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Sela shtoi se eliminimi nga gara i saj dhe kandidatëve të tjerë si Evi Kokalari, Alesia Balliu, Ervin Salianji dhe Vladimir Mula përbën, sipas saj, një atentat ndaj demokracisë së brendshme në PD.
Një nga deklaratat më të forta ishte akuza se vetë Berisha nuk përmbush kriteret statutore për të kandiduar, pasi sipas saj ka humbur zgjedhjet e vitit 2025 dhe statuti nuk ia lejon rikandidimin në këto kushte.
“Partia Demokratike nuk mund të vijë në pushtet me një lider non grata në Uashington dhe Londër”, u shpreh Sela.
Ajo kërkoi gjithashtu ndihmën e mediave dhe faktorit ndërkombëtar që Partia Demokratike të demokratizohet dhe të mos shkatërrohet nga proceset e mbyllura.
Reagimi i plotë:
Unë, Mereme Sela, kandidate për kryetare e Partisë Demokratike të Shqipërisë, njoftoj opinionin publik se zgjedhjet për kryetar dhe procedurat përkatëse po manipulohen.
Për këto arsye, vendosa:
1. T’i drejtohem Gjykatës së Tiranës me një kërkesë për pezullimin e procesit zgjedhor, si të paligjshëm, të padrejtë, të pabarabartë dhe në kundërshtim me statutin e PD-së, të miratuar nga Kuvendi dhe të njohur nga gjykata.
2. Ti drejtohem SPAK për hetimin e proçesit të korruptuar zgjedhor në Partinë Demokratike nga i pandehuri Sali Berisha i cili është në akuzë edhe për vepra të tjera penale.
3. T’u drejtohem Ambasadës së SHBA-së, Ambasadës së Britanisë së Madhe dhe misionit të BE-së për t’i informuar dhe për t’u kërkuar ndihmë, pasi ish-kryetari Sali Berisha ka marrë peng partinë dhe nuk lejon zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
4. T’u drejtohem mediave për të na ndihmuar që Partia Demokratike të mos shkatërrohet, por të demokratizohet. Eliminimi ynë, si pesë rivalë në garë – Evi Kokalari, Alesia Balliu, Ervin Salianji dhe Vladimir Mula – përbën një atentat kundër demokracisë brenda partisë.
5. I vetmi person që nuk përmbush kriteret e statutit është ish-kryetari Sali Berisha, i cili ka humbur zgjedhjet e vitit 2025 dhe nuk i lejohet ligjërisht sipas statutit të partisë të garojë për funksionin e kryetarit.
Partia Demokratike nuk mund të vijë në pushtet me një lider “non grata” në Uashington dhe Londër.
Njoftimin për skualifikimin e kam marrë përmes mediave, çka në vetvete është e papranueshme. Ky vendim është i padrejtë dhe i pajustifikuar. Përkundrazi, nëse do të kishte një vlerësim të drejtë dhe në përputhje me statutin e partisë, personi që duhej të ishte subjekt skualifikimi do të ishte z. Berisha.
Për këtë arsye, do të ndjek të gjitha procedurat ligjore në dispozicion dhe do të paraqes ankesën time zyrtare. Megjithatë, bazuar në përvojat e mëparshme, nuk pres një reagim apo përgjigje serioze nga Partia Demokratike, pasi kjo ka qenë një praktikë e përsëritur ndër vite.
Kjo mënyrë veprimi është një ndër arsyet kryesore pse Partia Demokratike ndodhet në këtë situatë sot.
Duke ju falënderuar për mbështetjen!