E Martë, 3 Nëntor 2026

Merkel në Athinë pas 15 vitesh: Kriza greke ishte dramatike, por e domosdoshme

Ish-kancelarja gjermane Angela Merkel është rikthyer në Greqi 15 vite pas krizës financiare që gjunjëzoi vendin dhe kërcënoi stabilitetin e eurozonës. Në Athinë, gjatë prezantimit të librit të saj “Liria”, Merkel mbrojti vendimet e marra në kohën e krizës, duke i cilësuar si të domosdoshme dhe të bazuara në nevojën për stabilitet fiskal.

“Shpesh u perceptova si ‘gruaja e keqe’ që nuk donte të jepte para”, u shpreh ajo, duke kujtuar një bisedë me ish-kryeministrin George Papandreou, i cili sipas saj, nuk kërkoi ndihmë specifike. Merkel tha se përballë rrezikut të kolapsit financiar në vitin 2010, u detyrua të aktivizonte “klauzolën e mos-shpëtimit në euro”, për të cilën kishte nevojë për baza ligjore përpara Bundestagut.

E intervistuar nga drejtori i gazetës Kathimerini, Alexis Papahelas, ajo theksoi: “E dija që disa milionë nuk do të mjaftonin. E di që masat ishin të dhimbshme, por Greqia kishte nevojë për një sistem të qëndrueshëm ekonomik dhe të ardhura tatimore”. Merkel pranoi se kishte pasur parregullsi edhe nga ana e kompanive gjermane dhe theksoi se mbështeti uljen e borxhit grek, pavarësisht kritikave.

Ndërkohë, Merkel pranoi se kishte qenë kundër mbajtjes së një referendumi në vitin 2011 për qëndrimin e Greqisë në eurozonë – një lëvizje që çoi në rrëzimin e Papandreut. Ajo vlerësoi qëndrimin e mëvonshëm të kryeministrit Alexis Tsipras në vitin 2015, i cili pas një referendumi kundër masave shtrënguese, zgjodhi të negociojë dhe të ruajë vendin në eurozonë, me mbështetjen e liderëve evropianë si François Hollande dhe Matteo Renzi.

Ish-kryeministri Papandreou, i intervistuar veçmas, kritikoi qasjen fillestare të Evropës, duke deklaruar se “Greqia u përdor si hallka më e dobët” dhe se vendet evropiane nuk kuptuan natyrën e thellë të krizës. Sipas tij, “forca e vërtetë e Evropës është solidariteti”, një mesazh që mbetet aktual përballë sfidave të sotme.

Në fund, të dy liderët u dakordësuan për një pikë: ishte guvernatori i atëhershëm i BQE-së, Mario Draghi, ai që i qetësoi tregjet dhe shpëtoi euron me “bazukën” e ndërhyrjes monetare.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›