Merr jetë “Pasqyrë Albania”, Rama: Platforma e transparencës përballë shqiptarëve

Merr jetë “Pasqyra Albania”, qeveria hap dosjet dhe jo rastësisht e nis me flamingot. Kryeministri Edi Rama prezantoi “Flamingo Mirror”, platformën e re dixhitale, që ofron transparencë të plotë të projekteve më të mëdha qeveritare dhe u përgjigjet çdo pyetjeje të qytetarëve me asistencën e Inteligjencës Artificiale.
“Është një burim, i cili do t’i shërbejë qytetarëve për të parë jo se çfarë shkruan qeveria, po se çfarë është e shkruar në gjithë dokumentet zyrtare, dhe çfarë thonë të gjithë materialet e një dosjeje qeveritare. Është një komponent i Pasqyrë Albania, Pasqyra Flamingo do të ketë edhe mundësinë për të ndjekur në kohë reale çdo projekt qeveritar”, tha ai.
Testi i parë i Pasqyrës së Flamingove, nis me projektin e Zvërnecit, dosja e parë e hapur në “Flamingo Mirror”, që do t’i nënshtrohet filtrit të plotë të transparencës deri në plotësimin e saj.
“Patjetër që nuk mund të mos niste me dosjen më tërheqëse të Shqipërisë, sot që flasim, me dosjen e Sazan-Zvërnecit. Dosja nuk e ka studimin e impaktit mjedisor, sepse s’ka ardhur akoma, s’ka projektin urbanistik dhe arkitektonik, sepse prpjekti ende s’ka ardhur. Kur të vijnë, çfarë do të vijë, do të vendoset menjëherë në pasqyrë.“, shtoi Rama.
Kryeministri Edi Rama paralajmëroi dy projektet e tjera të mëdha që do të jenë pjesë e “Pasqyrës së Flamingove”.
“Shumë shpejt do të publikojmë dosjen qeveritare të Kayo-s, një tjetër emër që tanimë përflitet në rrugët e kanaleve sociale dhe në hapësirat e medias televizive, po ashtu Milot-Balldren, temë, e cila është diskutuar mbi, sipas nesh, trillime, gjysmë të vërteta, info të paverifikuara”, theksoi Rama.
Por nuk mbetet me kaq. Së shpejti, Rama do të prezantojë fëmijën e parë të Diellës.
“Pas disa ditësh, prezantojmë një modul të ri të Diellës, ekzekutuar nga skuadra e AI e AKSHI-t.”, tha ai.
Pas 126 ditësh, flamingot në bulevard kanë mbetur pak, por e arritën një gjysmë fitore, Pasqyrën. Betejën në bulevard nuk e fituan dot, tani mund të luftojnë në pikën e tyre më të fortë, në botën digjitale. Por kjo do të jetë një betejë me rregulla, Pasqyra ndan të vërtetën nga gënjeshtra.
Kurse qeveria, ka gjetur një mundësi për të riparë veten në Pasqyrë, e për të rindryshuar, për të rikuptuar dhe për të rikujtuar, se pushteti nis nga qytetarët, në fund të fundit ata votojnë.