Mesazhi i përbashkët i ipeshkvijve të Kishës Katolike në Shqipëri për Krishtlindje

TIRANË, 24 dhjetor/ATSH/ Kjo Krishtlindje ka bërë bashkë, në një frymë vëllazërore, gjithë ipeshkvijtë e Kishës Katolike në Shqipëri, të cilët iu drejtuan popullit shqiptar me një mesazh dashurie dhe shprese.
Mesazhi i kësaj Krishtlindjeje u përcoll nga ipeshkvi i Rrëshenit, imzot Gjergj Meta, arqipeshkvi i Shkodër-Pult, imzot Giovanni Peragine, imzot Arjan Dodaj, arqipeshkvi i Tiranë-Durrës dhe imzot Ottavio Vitale, ipeshkvi i Lezhës.
Urimit të tij për këtë Krishtlindje, imzot Gjergj Meta i shtoi përkujtimin ndaj imzot Simon Kullit, ipeshkvit të Sapës i cili u nda nga jeta së fundmi. Simon Kulli ishte një ndër katër priftërinjtë e parë shqiptarë të shuguruar pas diktaturës komuniste në Shqipëri.
Më tej mesazhi vijon me fjalën e arqipeshkvit Giovanni Peragine, për të cilin Krishtlindja është një kujtesë, se Zoti është pranë nesh. “Ai hyn në jetën tonë të përditshme. Bëhet i pranishëm veçanërisht atje ku ka vështirësi, pasiguri dhe vuajtje. Të kremtosh Krishtlindjen do të thotë të ndjesh praninë e Zotit”, tha imzot Peragine.
“Populli që ecte në errësirë pa një dritë të madhe dhe mbi këtë luginë të errët shndriti drita e fuqishme. E ke shumuar gëzimin, e ke rritur harenë”, me këto vargje të profetit Isaia, kapitulli 9, arqipeshkvi Arjan Dodaj, nisi mesazhin e tij drejtuar besimtarëve katolikë në këtë prag Krishtlindjeje.
Për imzot Dodaj, përvoja e Krishtlindjes është përvoja e daljes nga një errësirë.
“Zoti nëpërmjet ofertës së tij, shndrit në jetën tonë dhe përballë këtij grazhdi në Betlehem, ku jemi të gjithë të ftuar të kremtojmë e festojmë, le të sodisim këtë Zot që shndrit në errësirat e ekzistencës tonë”, tha arqipeshkvi Dodaj.
Kreu i Kryedioqezës Mitropolitane Tiranë-Durrës, ftoi besimtarët të bëjnë të mundur që, “edhe Kisha jonë të mbushet me dritën hyjnore të Jezusit, populli ynë të dalë nga fryma e errët e çdo distance, çdo shkurajimi e çdo mungese shprese”.
Në mesazhin e përbashkët të ipeshkvijve foli edhe ipeshkvi i Lezhës, imzot Vitale. “Ndryshoni e rikthehuni tek unë. Ky është lajmi që na jepet në këtë Krishtlindje të shenjtë”, tha imzot Vitale duke u bërë thirrje besimtarëve që të bëhen njerëz të paqes.
/a.f/