Mësimi në kushtet e spitalit, klasa për pacientet e vegjël në pediatrinë e QSUT

Dy klasa, një për mësimin përmes teknologjisë dhe për mësimin sipas kurrikulës së shkollës për fëmijët dhe një klasë arti, janë hapur për pacientët e vegjël të shtruar në spitalin pediatrik në QSUT. Për herë të parë ata do të kenë mundësi të zhvillojnë mësim brenda mjediseve të spitalit.
“Këto klasa janë hapur para dy javësh. Ne kemi fëmijë që janë të shtruar me kohëzgjatje të madhe, por kemi edhe fëmijë ditorë. Kemi pasur raste që kemi pasur dhe 5-6 raste, por kemi pasur edhe 1-2. Fëmijët që kanë qenë aktivë janë edhe fëmijët që kanë pasur qëndrimin më të gjatë. Mësimi është individual, nuk funksionojnë 5-6 fëmijë bashkë, secili mësues merret me një fëmijë ose maksimumi 2 kur kemi shumë.”, thot Jetmir Zaganjori, mësues.
Për fëmijët që e kanë të pamundur lëvizjen nga shtretërit, do të mundësohen tableta, smartphone dhe mjete didaktike të krijuara posaçërisht për ta.
“Fëmijët që rrinë për kohë të gjatë, mund të marrin dhe orë mësimi sipas nevojave ose dëshirave të tyre, kryesisht me matematikën dhe gjuhën shqipe. Mundohem të plotësoj ato orë që ka humbur fëmija. Shpjegimi është më i gjatë, fëmija duhet të flasë më pak sepse kanë probleme të ndryshme shëndetësore, por unë mundohem të bëj maksimumin që të kapë sa më shumë, që mos të krijohet ai boshllëku. Për fëmijët që nuk lëvizin nga krevati, sepse ka diagnoza të ndryshme dhe ndoshta edhe të rënda, ne vemi me tableta, çdo mësues ka nga një tablet, që është i pajisur edhe me kurrikulat shkollore, vemi dhe i ndihmojmë atje me të gjitha mundësitë.”, shprehet Rejmonda Çela, mësuese.
Krahas mësimit, do të ofrohen aktivitete që lidhen me leximin, fotografinë, muzikën dhe aktivitete të tjera.
/vizionplus.tv