“Messi” shqiptar vetëm 3 vjeç! Siari mahnit me talentin dhe realizon ëndrrën e babait

Vetëm 3 vjeç, por pasioni i tij për futbollin ka fituar zemrat e mijëra njerëzve në rrjetet sociale. Siar Markeci është vogëlushi që po tërheq vëmendjen me aftësitë e tij me topin, ndërsa shumë e quajnë me humor “Messi i ardhshëm shqiptar”.
Babai i tij, Indrit Markeci, tregon se dashuria e Siarit për futbollin ka nisur që në hapat e parë. Sipas tij, djali nuk ka kërkuar kurrë lodra të tjera, por vetëm topa futbolli.
“Siari po bën realitet ëndrrën time. Unë nuk arrita të bëhesha futbollist, por sot e jetoj atë ëndërr përmes tij”, shprehet Indriti.
Babë e bir stërviten çdo ditë së bashku për rreth 30 minuta. Madje, nëse babai nuk është në formë për të luajtur, është vetë Siari ai që e kërkon vazhdimisht të zbresin në fushë.
Një video e publikuar në rrjetet sociale, ku shfaqej talenti i vogëlushit, u bë virale dhe grumbulloi miliona shikime. Por surpriza më e madhe erdhi kur videon e pa edhe sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Armando Broja.
I emocionuar gjatë një ndeshjeje, Siari thërriste vazhdimisht emrin e idhullit të tij nga tribunat. Pas publikimit të videos, Broja kontaktoi familjen dhe kërkoi t’i takonte.
Takimi mes vogëlushit dhe futbollistit u bë realitet, duke i dhuruar Siarit një nga ditët më të bukura të jetës së tij. Një histori frymëzuese që tregon se pasioni, ëndrrat dhe këmbëngulja mund të nisin që në moshën trevjeçare.