E Hënë, 2 Nëntor 2026

Meta takon homologun sllovak, Lajcak: “BE-ja të liberalizojë vizat për shqiptarët”



Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, u prit dje në Bratislavë në një takim pune nga ministri i Punëve të Jashtme të Sllovakisë, Miroslav Lajcak. Gjatë këtij takimi Meta e njohu homologun sllovak me arritjet e Shqipërisë në procesin e integrimit europian, dorëzimin e Pyetësorit nga kryeministri Berisha dhe përmbushjen e standardeve për liberalizimin e vizave. Meta theksoi se Shqipëria e meriton liberalizimin e vizave si një çështje dinjiteti dhe shprehu besimin se ky vendim do të merret së shpejti nga Bashkimi Europian. Meta vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë mes dy vendeve, tregues i qartë i të cilave është dhe hapja reciproke e ambasadave në Tiranë dhe Bratislavë. Ministri i Punëve të Jashtme të Sllovakisë, z. Miroslav Lajcak, shprehu vlerësimin e tij të lartë për arritjet e Shqipërisë në rrugën e reformave dhe plotësimin e të gjithë kritereve që kërkon liberalizimi i vizave. Lajcak u shpreh se Shqipëria e meriton vendimin për liberalizimin e vizave duke theksuar se ai duhet të merret shumë shpejt. Gjithashtu z. Lajcak konfirmoi mbështetjen absolute të Sllovakisë për integrimin e shpejtë të të gjithë Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian. Lajcak vlerësoi rolin shumë konstruktiv që luan Shqipëria në rajon, si një faktor paqeje dhe stabiliteti dhe shprehu bindjen se të dy vendet do të punojnë së bashku për integrimin e plotë të Ballkanit Perëndimor në BE.

Ministria e Jashtme nis lëvizjen e ambasadorëve

Komisioni për Politikën e Jashtme zhvilloi dje një seancë dëgjimore me kandidaturat e propozuara nga Ministria e Jashtme për Ambasadorë. Të pranishëm në mbledhje ishte Dashnor Dervishi, që është propozuar për ambasador në Greqi dhe Flamur Gashi, ambasador në Bosnjë-Hercegovinë. Ndërkaq burimet kanë bërë të ditur se Vili Minarolli nuk do të jetë më ambasadori ynë në Athinë, por do të propozohet për postin e ambasadorit në Austri. Lëvizje të tjera në Trupin Diplomatik pritet të përfshijnë edhe Brukselin, ku do të emërohet Ilir Tepelena, i cili deri tani ka mbajtur postin e drejtorit.
Gjatë seancës së djeshme dëgjimore Dashnor Dervishi, kandidat për postin e ambasadorit të Shqipërisë në Greqi, prezantoi përpara anëtarëve të Komisionit të Jashtëm objektivat dhe prioritetet e tij në ushtrimin e kësaj detyre. Dervishi e cilësoi emërimin e tij si një detyrë të rëndësishme përsa i përket rritjes së bashkëpunimit dhe forcimit të urave lidhëse ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë. Ai theksoi se detyra e tij si përfaqësues diplomatik i Shqipërisë në Athinë ka një rëndësi të veçantë pasi Greqia është një partner strategjik politiko-ekonomik, në kuadër të bashkëpunimit dypalësh, evropian, por edhe më gjerë. Një vëmendje të veçantë Dervishi u kushtoi edhe emigrantëve shqiptarë në Greqi, duke shprehur garancinë se gjatë ushtrimit të detyrës së tij do të punojë për një trajtim sa më njerëzor në kuadër të respektimit të të drejtave të tyre. Anëtarët e Komisionit të Jashtëm dëgjuan prezantimin e Flamur Gashit, kandidat për postin e ambasadorit të Shqipërisë në Bosnjë-Hercegovinë, ku vendi ynë për herë të parë do të çelë selinë e tij diplomatike në këtë shtet. Gashi vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve që do të shkojnë drejt intensifikimit të mëtejshëm. Pasi u njoh me dy kandidaturat e propozuara nga Ministria e Jashtme, Komisioni i Jashtëm vijoi diskutimet me dyer të mbyllura.

23 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›