E Diel, 1 Nëntor 2026

Michal: Mbështesim integrimin e Shqipërisë në BE, aleate e rëndësishme e NATO-s

Kryeministri i Republikës së Estonisë, Kristen Michal, vlerësoi Shqipërinë si një aleate të rëndësishme të aleancës së NATO-s dhe shprehu mbështetjen e Estonisë për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.

Gjatë një deklarate të përbashkët për shtyp nga Estoni, me Kryeministrin Edi Rama, Michal, theksoi bashkëpunimin e mes dy vendeve si aleate të NATO-s.

“Shqipëria është një aleate shumë e rëndësishme në NATO. Faleminderit për kontributin tuaj në sigurinë e rajonit baltik”, u shpreh Michal në fjalën e tij.

Kryeministri estonez theksoi se, megjithëse dy vendet ndahen nga një distancë prej më shumë se 2 mijë kilometrash, ato ndajnë të njëjtin vizion për sigurinë europiane.

“Ka më shumë se 2 mijë kilometra distancë mes vendeve tona, por ne ndajmë të njëjtën pikëpamje, sepse siguria jonë është e ndërlidhur. Ndërsa i afrohemi samitit të ardhshëm për sigurinë, Europa duhet të marrë më shumë përgjegjësi për mbrojtjen e saj”, deklaroi ai.

Duke iu referuar luftës në Ukrainë, Michal tha se objektivat e Rusisë nuk kanë ndryshuar dhe se sulmet ndaj popullit ukrainas vijojnë çdo ditë.

“Rusia nuk është e pamundur të mposhtet dhe ne po punojmë së bashku për një paqe të drejtë dhe afatgjatë në Ukrainë”, tha kryeministri estonez.

Ai rikonfirmoi gjithashtu mbështetjen e Estonisë për integrimin europian të Shqipërisë.

“Ukraina i përket familjes europiane dhe kështu edhe Shqipëria. Estonia e mbështet zgjerimin e Bashkimit Europian dhe ne kemi mbështetur Shqipërinë në rrugëtimin e saj drejt BE-së. Vazhdoni me reformat për të ardhmen e vendit dhe qytetarëve tuaj. Nëse Shqipëria përmbush angazhimet e saj, atëherë edhe Bashkimi Europian do të bëjë të njëjtën gjë”, deklaroi Michal.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›