E Hënë, 2 Nëntor 2026

Michel Platini: Një grup njerëzish u bashkuan për të më asgjësuar

Ish-kreu i UEFA-s, Michel Platini, ka thyer heshtjen pas një dekade larg futbollit. Në një intervistë të sinqertë, legjenda franceze ka folur për përjashtimin e tij nga sporti, fitoren në gjykatat zvicerane dhe akuzat e forta ndaj drejtuesve aktualë të FIFA-s.

Platin-i ishte njeriu që pritej të merrte drejtimin e FIFA-s në vitin 2015, por një pagesë prej rreth 2 milionë dollarësh nga Sepp Blatter bëri që ai të dënohej dhe të largohej nga futbolli. Edhe pse vitin e kaluar drejtësia zvicerane e shpalli plotësisht të pafajshëm, Platini thotë se dëmi u bë qëllimisht.

“Isha i destinuar të bëhesha president i FIFA-s. Gjithçka ndodhi sepse ata nuk e donin këtë. Ishte një padrejtësi e madhe politike. Një grup njerëzish vendosën të më ‘vrisnin’ profesionalisht”, u shpreh ai.

Platin-i nuk i ka kursyer kritikat për pasardhësin e tij, Gianni Infantino. Ndonëse thotë se Infantino nuk ishte organizatori i “komplotit”, ai e quan atë një udhëheqës autokrat.

Ai thotë se Infantino pëlqen njerëzit e pasur dhe të pushtetshëm dhe se sot në FIFA ka më pak demokraci se në kohën e Blatter.

Platin-i ankohet se shumë njerëz që punojnë sot në UEFA dhe FIFA nuk e duan futbollin, por e shohin thjesht si punë zyre. Edhe pse ka kaluar 10 vite i izoluar, Platin-i ndihet i qetë sepse familja e tij e di që ai është i pafajshëm.

Ai nuk dëshiron të kthehet më në administratën e futbollit, por la të hapur mundësinë për të ndihmuar si këshilltar “nga prapaskena”.

Në fund, ai dha një mesazh për betejën e tij ligjore që vazhdon ende ndaj disa zyrtarëve.

“Nuk është hakmarrje. Është një luftë për të vërtetën. Nuk dua që dikush tjetër të kalojë problemet që kalova unë”, tha ai.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›