Ministeriali CEI, ministri Hasani: Prioriteti ynë mbetet integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE

Ditën e sotme në Tiranë po mbahet takimi i Ministrave të Punëve të Jashtme të Nismës së Evropës Qendrore (CEI), në kuadër të presidencës shqiptare të kësaj nisme.
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani mbajti fjalën hapëse. Ministri shprehu bindjen se bisedimet do të nxisin një bashkëpunim më të madh për të ndarë një të ardhme të begatë për rajonin. Ai theksoi se prioriteti i Shqipërisë mbetet integrimi i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.
Ministri Hasani: E vlerësoj bashkëpunimin me të gjitha shtetet anëtare të nismës tonë për të përmbushur detyrimet gjatë këtij mandati të rëndësishëm. Këtë vit Shqipëria ka pasur privilegjin të marrë një sërë presidencash të rëndësishme rajonale të nismës së Evropës Qendrore, të bashkëpunimit ekonomik të Detit të Zi, gjithashtu të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore dhe po kështu edhe karta të ndryshme. Këto presidenca nuk janë vetëm reflektim i vullnetit shqiptar për tu angazhuar në lidership e për tu përballur me shumë prej çështjeve që hasim, por gjithashtu edhe besimin e patundur në fuqinë e bashkëpunimit për tu përballur me sfida.
Teksa vazhdon puna në kuadër të nismës të Evropës Qendrore, ministri Hasani theksoi se objektivat dhe përparësitë janë të përputhura me mandatin thelbësor të kësaj nisme.
Ministri Hasani: Vizioni ynë rajonal shtrihet përtej sfidave aktuale. Jemi të përqendruar të eksplorojmë rrugë të reja rritjeje, duke trajtuar sfidat që shfaqen dhe që na prekin të gjithëve. E cilësojmë këtë nismë jo vetëm si një platformë të vlefshme rajonale bashkëpunimi por edhe si një lehtësues të besueshëm të procesit të integrimit në BE. Nisma ofron një hapësirë unike për dialog, për shkëmbime të praktivave më të mira dhe mbështetje të ndërsjelltë. Gjatë presidencës së Shqipërisë kemi inkurajuar anëtarët e CEI-t për të përfiuar maksimalisht nga sinergjitë, duke forcuar lidhjet dhe duke nxitur bashkëpunimin që na sjell të mira të gjithëve. Një prej përparësive kryesore të Shqipërisë në krye të CEI-t ka qenë të çojë përpara integrimin evropian të Ballkanit Perëndimor.
Ministri Hasani tha se mbështetja kolektive për integrimin evropian të Ballaknit Perëndimor mbetet një element thelbësor për të siguruar besueshmërinë e procesit të zgjerimit dhe për të ruajtur mbështetjen popullore në rajon.
Ministri Hasani: Duhet të sigurojmë që procesi i integrimit të mbetet në drejtimin e duhur dhe gjithëpërfshirës për të gjitha vendet kandidate. Suksesi i këtij procesi është thelbësor për stabilitetin dhe prosperitetin e ardhshëm të rajonit tonë dhe është thelbësore që ne të vazhdojmë të forcojmë kohezionin tonë si vende të Evropës qendrore dhe të mbetemi të palëkundur në angazhimin tonë për tu bërë pjesë përbërëse e familjes më të madhe evropiane./vizionplus.tv