Ministeriali i Evropës Juglindore, Policia: Kufizime të përkohshme në disa akse rrugore

TIRANË, 15 qershor/ATSH/ Drejtoria vendore e Policisë Tiranë prezantoi sot një plan masash për garantimin e sigurisë dhe mbarëvajtjes së lëvizjes së delegacioneve të huaja, të kryesuara nga presidentët përkatës, me rastin e zhvillimit të Ministerialit të Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (SEECP).
Policia njoftoi se të hënën, më 16 qershor 2025 do të ketë bllokime dhe kufizime të përkohshme të qarkullimit në disa akse rrugore, përkatësisht në itineraret e ardhjes dhe largimit të delegacioneve.
Në rrugën e ardhjes, kufizimet do të prekin akset nga Aeroporti i Rinasit, përmes Mbikalimit të Kasharit, Autostradës “Durrës–Tiranë”, Unazës së Re, Rrethrrotullimit të Saukut, Rrugës së Elbasanit, deri në Rrugën “George W. Bush”, Rrugën “Urani Pano” dhe Rrugën “Dervish Hima”.
Ndërsa rruga e largimit të delegacioneve do të shtrihet nga Rruga “George W. Bush”, Rruga e Elbasanit, Rrethrrotullimi i Saukut, Unaza e Re, Sheshi “Shqiponja”, Autostrada “Tiranë–Durrës”, Mbikalimi i Kasharit dhe përfundon në Aeroportin e Rinasit.
Gjithashtu, gjatë zhvillimit të aktivitetit më 16 qershor, do të ketë ndalim të përkohshëm të qarkullimit, parkimit të automjeteve dhe lëvizjes së këmbësorëve në rrugën “Ludovik Shllaku” dhe Rrugën e Dibrës.
Orari i kufizimeve do të përcaktohet në varësi të mbërritjes së delegacioneve në aeroportin e Rinasit.
Policia e Tiranës kërkon mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e drejtuesve të mjeteve dhe qytetarëve, duke theksuar rëndësinë e këtyre masave për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë zhvillimit të këtij eventi me rëndësi kombëtare.