E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ministri Hoxha pret studentët e Akademisë Diplomatike të Vjenës: Diskutuam mbi rrugëtimin evropian të Shqipërisë

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, zhvilloi sot një takim në Ministrinë e Jashtme me studentë të Akademisë Diplomatike të Vjenës, duke e cilësuar këtë shkëmbim si frymëzues dhe tejet të vlefshëm.

Në një postim në faqen e Facebook, Hoxha vlerësoi Akademinë e Vjenës si një institucion me traditë të spikatur në përgatitjen e brezave të diplomatëve për t’u përballur me kompleksitetet e marrëdhënieve ndërkombëtare.

Ai theksoi se ky profesion po riformësohet nga zhvillimet gjeopolitike, transformimet teknologjike dhe ndërlidhja mes sigurisë, ekonomisë dhe politikës.

“Diskutuam veçanërisht mbi rrugëtimin evropian të Shqipërisë – nga reformat tek negociatat, nga angazhimet tek rezultatet konkrete, si dhe mbi përgjegjësinë tonë të përbashkët për të çuar përpara të ardhmen evropiane të vendit,” u shpreh ministri.

Hoxha kujtoi se Akademia ka kontribuar ndër vite në formimin e disa prej anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm të Shqipërisë, duke e cilësuar këtë si një lidhje të qëndrueshme dhe të çmuar që vazhdon të forcohet.

Ai vuri në dukje rëndësinë e brezit të ri të diplomatëve, duke theksuar: “Është inkurajuese të shohësh një brez të ri diplomatësh kaq të përgatitur dhe të motivuar, që po formësojnë Evropën e së nesërmes – Evropën tonë.”

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›