Ministri Karakaçi takon ministrin grek të Energjisë në Athinë, diskutohen projektet e përbashkëta energjetike

Ministri Enea Karakaçi ka zhvilluar një takim me homologun grek Stavros Papastavrou në Athinë, në kuadër të Konferencës së Energjisë, ku u diskutua për forcimin e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Greqisë në sektorin energjetik.
Gjatë takimit të zhvilluar në Athinë, ministrat diskutuan mbi bashkëpunimin ekzistues mes dy vendeve dhe projektet me interes të përbashkët në fushën e energjisë dhe infrastrukturës.
Sipas deklaratës së ministrit Karakaçi, një nga temat kryesore ishte rëndësia e ndërtimit të një linje të re interkonjeksioni energjetik, projekt që po planifikohet bashkërisht nga Shqipëria dhe Greqia.
Palët vlerësuan gjithashtu bashkëpunimin mes bursës shqiptare të energjisë dhe bursës greke, duke theksuar se ky koordinim ka kontribuar në rritjen e sigurisë operative dhe eficiencës së transaksioneve në tregun energjetik.
Takimi u zhvillua në kuadër të Konferencës së Energjisë në Athinë, ku po marrin pjesë përfaqësues të sektorit energjetik dhe institucioneve nga vende të ndryshme të rajonit dhe Evropës.