Ministri Vengu takon stafin e Mbrojtjes pas rikonfirmimit në detyrë

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, mblodhi sot stafin ushtarak dhe civil të ministrisë pas betimit në Presidencë, duke shënuar rimarrjen e detyrës së tij. Vengu shprehu krenarinë për punën e përditshme të Forcave të Armatosura dhe falënderoi Kryeministrin Edi Rama për besimin e vazhdueshëm.
Në një postim në rrjetet sociale, ministri Vengu vlerësoi lart përkushtimin e ushtarakëve dhe civilëve, duke i quajtur “njësia matëse e një shteti që mbron dhe nuk dorëzohet përballë sfidave”. Ai gjithashtu shprehu mirënjohje të veçantë për personelin e angazhuar në misione me rrezikshmëri të lartë dhe për familjet e tyre.
Pirro Vengu, i cili e mban postin e ministrit të Mbrojtjes që prej korrikut 2024, ka një karrierë të gjatë në administratën publike shqiptare. Më parë, ai ka shërbyer si Drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv i Autoritetit Portual Durrës, Drejtor i Antikorrupsionit në Kryeministri, dhe Shef Kabineti në Ministrinë e Jashtme.
/rtsh.al/