Ministri i Holandesë: Franca është “totalisht e falimentuar”

Faqja e parë e gazetës prestigjioze franceze, “Le Figaro”
Sondazhi në “Le Figaro”, rreth 80 për qind e besojnë falimentimin ekonomik.
Qeveria franceze e Fransua Holandesë mori një goditje të fortë nga një prej anëtarëve të kabinetit të saj, i cili tha se Franca ishte “totalisht e falimentuar”. Deklarata u bë nga ministri i Punës, Mishel Sapin, i cili i vënë nën shënjestrën e kritikave të forta të kolegëve të tij, tha se po fliste vetëm për dëmet që ka lënë pas administrata e mëparshme e Nikolas Sarkozisë. Sipas ministrit francez, politikat e qeverisë për taksat dhe shpenzimet nuk po funksiononin. Kundërpërgjigjja e ministrit të Financave në Francë, Pierre Moskovici, ishte shumë e shpejtë. “Ajo që ai donte të thoshte, është se situata fiskale ishte shqetësuese”, duke iu referuar qeverisë së mëparshme. Moskovici tha se administrata e Sarkozisë ka lënë pas për ta rreth 600 miliardë euro borxhe. Vetëm gjysmë viti pasi u vendos në pozicionin e ministrit, Sapin tha në një intervistë në radio se: “Ka një shtet, por ai është një shtet tërësisht i falimentuar. Prandaj neve na duhej të zbatonim një plan për ulje deficiti dhe asgjë nuk duhet të na stepë nga kjo iniciativë”. Deklarata e tij ka vënë në dyshim të madh aftësinë e Holandesë për të menaxhuar ekonominë e vendit. Sipas një sondazhi të së përditshmes franceze “Le Figaro”, rreth 80.5 për qind e lexuesve besonin se Franca ishte në të vërtetë e falimentuar. Moskovici theksoi se “Franca është vërtet një vend i besueshëm, është një vend që ka nisur rimëkëmbjen”. Franca është ekonomia e dytë më madhe e eurozonës. Por një raport i Bankës së Francës tregoi se investitorët e huaj po largoheshin nga ky vend dita-ditës. Po ashtu edhe të pasurit, duke i dhënë një goditje të fortë planit të rimëkëmbjes së Holandesë.
Problemet në Francë
• Borxhi publik 90% i GDP
• Humbi vlerësimin AAA
• Taksat kanë ngecur, janë në gjykim
• Mosrritja e moshës së pensionit
• Papunësia 18%
• Deficiti tregtar, 73 miliardë euro
• Shpenzimet publike 56.3% të GDP
• Planet për rritjen e numrit të nëpunësve shtetërorë