E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministri i Jashtëm i Iranit: Jemi gati për bisedime të ‘drejta’ me SHBA-në

Irani ka shprehur gatishmërinë për të rifilluar bisedimet me Shtetet e Bashkuara, por ka theksuar se ato duhet të jenë të drejta dhe të mos përfshijnë kufizime mbi aftësitë e tij mbrojtëse.

Deklarata u bë sot nga ministri i Jashtëm Abbas Araghchi, ndërsa fuqitë rajonale intensifikojnë përpjekjet për të shmangur një konflikt ushtarak midis dy vendeve.

Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi të enjten se planifikon të flasë me Iranin, pavarësisht se SHBA ka dërguar një tjetër anije luftarake në Lindjen e Mesme. Kreu i Pentagonit paralajmëroi se ushtria amerikane është e gatshme të zbatojë çdo vendim të presidentit.

Një nga kërkesat kryesore të Uashingtonit për rifillimin e dialogut është që Irani të frenojë programin e tij të raketave. Megjithatë, Teherani e ka refuzuar këtë kusht, duke e konsideruar si cenim të sovranitetit dhe aftësive të tij mbrojtëse.

“Nëse negociatat janë të drejta, Irani është gati të marrë pjesë,” tha Araghchi në një konferencë për shtyp me homologun e tij turk në Stamboll. Ai shtoi se aktualisht nuk ka asnjë takim të planifikuar midis Teheranit dhe Uashingtonit.

Turqia, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Arabia Saudite po ndërmarrin nisma diplomatike për të parandaluar një përplasje ushtarake midis dy fuqive.

Duke iu përgjigjur kërcënimeve të SHBA-së për veprime ushtarake, Araghchi deklaroi se Irani është i përgatitur si për negociata, ashtu edhe për luftë, nëse situata e kërkon.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›