Ministria e Mbrojtjes: Shtatë vatra zjarresh aktive, 13 janë shuar plotësisht

TIRANË, 10 shtator/ATSH/ Ministria e Mbrojtjes bëri të ditur se, 30 vatra zjarri janë raportuar gjatë ditës së sotme në territorin e vendit, nga të cilat 7 vijojnë aktive, 10 janë nën mbikëqyrje dhe 13 janë shuar plotësisht.
Sipas përditësimit të Ministrisë së Mbrojtjes për situatën e zjarreve, në operacione janë angazhuar 404 forca operacionale vendore dhe lokale, si dhe 21 automjete zjarrfikëse.
Në mbështetje të operacioneve, Forcat e Armatosura kanë angazhuar 133 efektivë, një helikopter, dy automjete zjarrfikëse, një dron, 13 mjete dhe një autoambulancë.
Në qarkun Tiranë vijon aktive vatra në Malin e Dajtit, ku gjatë ditës kanë operuar 25 zjarrfikës, 7 forca të ADZM-së dhe 52 efektivë të Forcave të Armatosura me 6 mjete dhe një autoambulancë. Sipas autoriteteve, nuk ka rrezik për zonat e banuara. Vatrat në Malin e Bërzhitës dhe Malin me Gropa janë izoluar dhe mbahen nën mbikëqyrje.
Në qarkun Dibër mbeten aktive vatrat në Lundre–Madhesh, Mat, në Cerrujë–Mali i Allushit, Klos, në Selishtë, si dhe një vatër e re në Pleshë, Klos. Vatra në Qafën e Helmes mbahet nën mbikëqyrje.
Në qarkun Shkodër, aktive mbetet vatra në Porav, Fushë-Arrëz, ndërsa zjarret në Rragam dhe në malin e Tërbunit janë nën mbikëqyrje dhe nuk paraqesin rrezik për zonat e banuara. Vatra në Mnelë të Madhe është shuar.
Në qarkun Fier, vatra në Peshtan mbahet nën monitorim, ndërsa zjarri në Çërrilë, Mallakastër, vijon aktiv. Për këtë vatër janë angazhuar forcat vendore, pyjore dhe të mbrojtjes civile, ndërsa Forcat e Armatosura kanë ndërhyrë me një helikopter, 32 efektivë dhe 3 mjete.
Në qarqet Lezhë, Elbasan dhe Korçë, situata paraqitet më e qëndrueshme, me vatrat e raportuara kryesisht të shuara ose nën mbikëqyrje. Në Opar, Korçë, vijon puna në terren, por vatra klasifikohet nën mbikëqyrje dhe nuk rrezikohen banesa.
“Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon të ndjekë në mënyrë të pandërprerë situatën në të gjithë territorin e vendit, në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile.
Kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara në terren dhe në gatishmëri për të ndërhyrë aty ku situata e kërkon, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave, pasurisë së qytetarëve dhe mjedisit”, njoftoi MM.
/e.xh/r.e/