E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ministria e Shëndetësisë dhe e Kulturës sqarojnë gjendjen shëndetësore të aktorit Naun Shundi: Kemi garantuar mbulimin e shpenzimeve për ndërhyrjen mjekësore

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit kanë reaguar ndaj shqetësimeve të opinionit publik rreth gjendjes shëndetësore të aktorit të njohur, Naun Shundi. Në një njoftim zyrtar, 2 ministritë konfirmojnë se po e ndjekin me përparësi situatën dhe kanë ofruar mbështetje të plotë për aktorin.

Sipas njoftimit, Ministria e Shëndetësisë, pas një komunikimi nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MEKI) më 7 gusht 2025, ka kontaktuar menjëherë familjarët e aktorit.

“Që në fazën e parë, Ministria ka garantuar mbulimin e të gjitha shpenzimeve për ndërhyrjen mjekësore. Pas rezultatit të biopsisë, u konstatua nevoja për trajtim të mëtejshëm. Edhe në këtë fazë, Ministria rikonfirmoi mbështetjen e saj të plotë.”, thuhet në njoftimin për shtyp.

Aktualisht, aktori Naun Shundi pritet të kthehet në Shqipëri për të vijuar trajtimin e tij. Ai do të ndiqet pranë Qendrës së Specializuar në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT).

Bazuar mbi njoftimin për shtyp, kjo deklaratë tregon angazhimin e institucioneve shtetërore për të mbështetur figurat e artit dhe kulturës në situata të vështira shëndetësore. Gjendja shëndetësore e aktorit, sipas Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Ministrië së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit , do të monitorohet nga afër, duke i ofruar atij të gjithë ndihmën e nevojshme.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›