E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministria e Shëndetësisë sqaron rastin e mashtrimit me premtimin për kurim jashtë shtetit

TIRANË, 4 shkurt /ATSH/ Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale reagoi sot përmes një deklarate për mediet, pas rastit të mashtrimit të bërë publik në emisionin investigativ “Stop”.

Rasti ka lidhje me një shtetase me inicialet O.H, e cila kishte premtuar nxjerrjen jashtë shtetit për kurim të një pacienteje, nga e cila kishte përfituar shumën deri në 35 mijë euro. Shtetasja O.H, pretendonte se në përgjigjet e e-maileve dhe mesazheve, kontaktet ishin të ministres së Shëndetësisë, Evis Sala dhe zv/ministres Eugena Tomini.

Lidhur me këtë rast, MShMS në një deklaratë publike shpreh distancimin e plotë dhe të prerë ndaj rastit të mashtrimit të një qytetareje dhe konfirmon me përgjegjësi të plotë se, numrat e telefonit dhe adresat e e-mailit të paraqitura si “zyrtare”, të përdorura nga shtetasja O. H., nuk kanë qenë dhe nuk janë në përdorim nga Ministria.

Sipas MShMS-së, nuk ka pasur asnjë komunikim shkresor apo telefonik të kësaj shtetaseje me ministren Evis Sala, apo me zëvendësministren Eugena Tomini.

Në deklaratë thuhet se “kuadri ligjor në fuqi përcakton qartë procedurat administrative që duhet të ndiqen për transferimin e pacientëve jashtë vendit për arsye shëndetësore, si dhe për rimbursimin e trajtimeve shëndetësore jashtë vendit”.

MShMS u bën thirrje qytetarëve që, për çdo shqetësim shëndetësor apo kërkesë për trajtim, të ndjekin vetëm rrugët zyrtare të komunikimit.

Ministria nuk përdor dhe nuk autorizon asnjë formë ndërmjetësimi apo komunikimi jozyrtar, si rasti në fjalë apo raste të ngjashme.

MShMS ka falënderuar stafin e emisionit, për rolin profesional në investigimin dhe pasqyrimin e plotë të ngjarjes, për evidentimin e një rasti mashtrimi të një familjeje shqiptare dhe në mbrojtjen e interesit publik.

/e.i/r.e/a.f/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›