E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ministrja Kumbaro: Përfundon me sukses provimi i Matematikës, mbi 144 qendra në të gjithë vendin

Provimi i Matematikës i Maturës Shtetërore 2026 u zhvillua me sukses në 144 qendra provimi në të gjithë vendin. Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, vlerësoi angazhimin e mbi 2 mijë administratorëve, mësuesve, drejtuesve të shkollave dhe stafeve të përfshira në proces, të cilët garantuan mbarëvajtjen e tij.

Sipas ministres, falë koordinimit dhe zbatimit të rregullores, provimi u zhvillua në një atmosferë të qetë dhe të rregullt, duke respektuar standardet e integritetit. Ndërkohë, ka nisur administrimi dhe përpunimi i materialeve të provimit sipas procedurave të përcaktuara.

Gjatë zhvillimit të testit u evidentuan dy raste të shkeljes së rregullores, ku dy nxënës tentuan të përdornin telefon celular. Ata u identifikuan dhe u përjashtuan menjëherë nga provimi.

Ministrja përgëzoi maturantët për seriozitetin dhe respektimin e rregullave gjatë këtij procesi të rëndësishëm.

“U përmbyll me sukses provimi i Matematikës i Maturës Shtetërore 2026, në 144 qendra në të gjithë vendin. Mirënjohje për mbi dy mijë administratorë provimesh, mësues, drejtues shkollash dhe të gjithë stafet e angazhuara të Ministrisë së Arsimit, të cilët me profesionalizëm dhe përkushtim garantuan mbarëvajtjen e procesit!

Falë koordinimit të shkëlqyer dhe zbatimit të rregullave në çdo hallkë të procesit, provimi u zhvillua në një atmosferë të qetë, të rregullt dhe me standardet më të larta të integritetit, ndërsa tashmë ka nisur administrimi dhe përpunimi i materialeve të provimit, sipas procedurave të përcaktuara.

Keqardhje për dy nxënës, të cilët gjatë këtij provimi thyen rregulloren duke tentuar të përdornin celular, por që u identifikuan dhe u përjashtuan menjëherë nga provimi. Të dashur maturantë, përgëzime për seriozitetin, angazhimin dhe respektimin e rregullores se Maturës Shtetërore. Tani forca në provimet e radhës!”, shkruan Kumbaro.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›