Ministrja Sala: Protokolle të reja onkologjie, nis puna për vendosjen e poltronave në 7 spitale rajonale

Kapacitetet e kimioterapisë do të rriten me shtrirje në të gjithë vendin. 7 spitale rajonale po bëhen gati të kenë modelin e shërbimit onkologjik të QSUT-së. Lajmin e bëri me dije vetë ministrja Sala në Spitalin Rajonal të Elbasanit e cila tha se është bërë vlerësimi i nevojave në infrastrukturë, staf dhe menaxhim për të instaluar 7 punkte të rrjetit onkologjik të cilat do të punojnë me protokollet e Institutit prestigjoz të Tumoreve në Milano.
“Në bashkëpunim me këtë institut kemi përfunduar protokollet e së shpejti do ua dërgojmë ato”, nënvizoi ministrja Sala.
Në lidhje me onkologjikun në QSUT ministrja ditën e hënë niset në Vjenë në Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike për të folur për modernizimin e pajisjeve e më pas në Institutin e Tumoreve në Milano për bashkëpunimin e mëtejshëm në onkologji.
Spitali Rajonal i Elbasanit, ka kryer 600 procedura kimioterapie gjatë vitit 2025 dhe rehabilitimi i Shërbimit të Patologjisë, ku do të përfshihet edhe kimioterapia do t’u vijë në ndihmë banorëve të 7 bashkive të qarkut e do lehtësojë fluksin në QSUNT.
Gazetare: Sonila Mlloja
/rtsh.al/