Ministrja e Jashtme Spiropali intensifikon takimet me trupin diplomatik

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, po intensifikon aktivitetin diplomatik pas marrjes së detyrës, duke zhvilluar takime me një pjesë të rëndësishme të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë.
Spiropali theksoi rëndësinë e këtyre takimeve në një postim në rrjetet sociale: “Dialog i hapur dhe ndërtim i urave të forta me miqtë dhe partnerët tanë ndërkombëtarë.”
Gjatë ditëve të fundit, Ministrja Spiropali ka pritur ambasadorët e Austrisë, Greqisë, Kroacisë, Rumanisë, Kosovës.
Këto takime vijnë pas një serie bisedash të mëparshme me përfaqësuesit e vendeve partnere kryesore. Më herët, Spiropali ka takuar Ambasadorin italian Marco Alberti, Ambasadorin britanik Nick Abbott, të Ngarkuarën me Punë të SHBA-së Nancy VanHorn, Ambasadoren e Francës Catherine Suard dhe Ambasadorin e Gjermanisë Karl Bergner.
Këto takime shënojnë fokusin e menjëhershëm të Ministrisë në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe multilaterale.
/rtsh.al/