Miqësorja me Luksemburgun, Maran kryen tre ndryshime në formacionin titullar

TIRANË, 6 qershor /ATSH/ Kuqezinjtë do të duan të hedhin pas krahëve sonte humbjen e pak ditëve më parë ndaj Izraelit në përballjen e radhës miqësore me përfaqësuesen e Luksemburgut.
Tekniku kuqezi Maran ka bërë tre ndryshime në formacion në krahasim me ndeshjen e parë.
Ajeti, Mehmeti dhe Broja nuk janë në formacionin e parë, duke u zëvendësuar përkatësisht nga Pllana, Bajrami dhe Uzuni. Për Mehmetin duhet theksuar se mungon për shkak të një viroze, ndërsa Uzuni është rikuperuar nga një e tillë që e pengoi të ishte pjesë e ndeshjes së parë.
Kapiteni Elseid Hysaj ka mbrëmje historike sonte, pasi luan ndeshjen e 100-të me fanellën kuqezi.
Formacioni titullar: Sherri në portë, Hysaj (K), Pllana, Gjimshiti dhe Mitaj në mbrojtje; në mesfushë: Asllani, Ramadani e Laçi; ndërsa në sulm do të jenë Hoxha, Bajrami e Uzuni.