Miqësorja me Ukrainën, Gjimshiti: Humbjen me Poloninë ta kthejmë në forcë

TIRANË, 30 mars /ATSH/ Kapiteni i Kombëtares së futbollit, Berat Gjimshiti foli sot në konferencën për shtyp në Valencia, para ndeshjes miqësore ndaj Ukrainës, duke vlerësuar rrugëtimin e skuadrës në kualifikueset e Botërorit 2026 nga ku theksoi rëndësinë e kthimit të mërzitjes nga humbja ndaj Polonisë në motivim për të ardhmen.
“Rruga ka qenë shumë e mirë dhe pozitive. Jeta është e shpejtë dhe ndonjëherë mendohet vetëm për gjëjen e fundit, humbja me Poloninë, që ndoshta e prish pak bukurinë e asaj që kemi bërë në dy-tre vitet e fundit. Por prapë jemi pozitivë. Në këto momente ka pak negativitet në kokë, por duhet ta ndryshojmë dhe ta kthejmë në forcë, duke e marrë me pozitivitet për të ardhmen e Kombëtares shqiptare”, deklaroi Gjimshiti.
Mbrojtësi vlerësoi gjithashtu cilësinë e skuadrës së Ukrainës, duke e konsideruar si një kundërshtar të fortë:
“Është një skuadër shumë e fortë, në këto nivele siç jemi ne, Polonia apo Suedia. Ukraina ka qenë në ‘final 4’ për biletën e fundit për Botëror, dhe duhet ta vlerësojmë ekipin kundërshtar”.
Duke folur për gjendjen e ekipit, kapiteni shtoi se, “jemi të mërzitur, por sa më shumë kalon koha, duhet ta kthejmë këtë në forcë dhe të mendojmë vetëm për këtë ndeshje, për të marrë një rezultat pozitiv nesër në këtë duel.”
Gjimshiti u ndal edhe te një nga lojtarët kryesorë të Ukrainës, Malinovski, me të cilin ka luajtur më parë tek Atalanta.
“Vlerësimi është shumë i lartë. Kemi kaluar disa vite bashkë shumë pozitive te Atalanta dhe e vlerësoj si lojtar dhe si djalë. Besoj se edhe tek Ukraina është një lojtar kyç. Gjëja më e fortë që ka Malinovski është gjuajtja nga distanca. Duhet të jemi afër në mbrojtje dhe mos ta lëmë të godasë portën, sepse shpesh ka një gjuajtje shumë të fortë dhe godet shumë mirë”, tha ai.
Ndeshja miqësore Ukrainë–Shqipëri do të zhvillohet nesër në orën 20:45, në Valencia.
/gj.m/j.p/r.e/