E Diel, 1 Nëntor 2026

Miratohen fondet për rindërtimin e shkollës “Ramazan Karaj” në Krujë dhe të banesave në Shijak

TIRANË, 30 dhjetor /ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi sot fondet për rindërtimin e shkollës së mesme të bashkuar “Ramazan Karaj” në Krujë dhe të disa banesave në Shijak, të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit 2019.

Konkretisht, në mbledhjen e qeverisë, u miratua përdorimi i fondit të rindërtimit, në masën 315 401 450,36 lekë pa TVSH, për financimin e rindërtimit të shkollës së mesme të bashkuar “Ramazan Karaj”, Bashkia Krujë.

Po sipas vendimit, bashkisë Krujë, në buxhetin e vitit 2025, i transferohet fondi në masën 63 080 lekë pa TVSH, në formën e transfertës së pakushtëzuar, i cili do të përballohet nga shpenzimet buxhetore të fondit të rindërtimit, miratuar për vitin 2025. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave dhe Bashkia Krujë janë ngarkuar për zbatimin e tij.

Gjithashtu, Këshilli i Ministrave miratoi përdorimin e fondit të rindërtimit, në masën 37 228 725 lekë pa TVSH, për financimin e rindërtimit të banesave individuale për ata individë, të cilët përfitojnë nga grantet e rindërtimit, banesat e të cilëve janë klasifikuar si objekte që duhen rindërtuar nga e para, në bazë të aktekspertizave të thelluara, në Bashkinë Shijak.

Sipas vendimi, efekti financiar përballohet nga shpenzimet buxhetore të fondit të rindërtimit, miratuar për vitin 2025, të cilat i transferohen Bashkisë Shijak në formën e transfertës së pakushtëzuar.

Për zbatimin e këtij vendimi, ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave dhe Bashkia Shijak.

Gjithashtu Këshilli i Ministrave, miratoi fondin për rindërtimin e kopshtit/çerdhes në fshatin Luz i Vogël, Bashkia Kavajë, në masën 34 658 401 lekë pa TVSH si dhe rindërtimi i kopshtit/çerdhes në fshatin Golem, Bashkia Kavajë, në masën 126 463 606,65 lekë pa TVSH.

/m.q/a.f/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›