E Diel, 1 Nëntor 2026

Miratohet kalendari i shqyrtimit të projektligjit të ndarjes së re Territoriale, PD kundër

TIRANË, 21 shtator/ATSH-Maela Marini/ Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike miratoi sot kalendarin e shqyrtimit të projektligjit “Për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë”.

Në fillim të mbledhjes, kryetari i komisionit Ulsi Manja bëri të ditur se në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve u vendos që komisioni i Ligjeve të jetë i vetmi komision përgjegjës që do të shqyrtojë këtë projektligj.

Manja u shpreh se shqyrtimi në këtë komision i jep vlerën e duhur një projektligji të tillë të rëndësishëm dhe adreson edhe debatin politik dhe juridik në komision.

Ai informoi se kalendari i propozuar parashikon prezantimin në parim të projektligjit në datën 23 shtator.

“Në datën 28 shtator parashikohet seancë dëgjimore me Këshillin e Ministrave dhe ekspertë të qeverisjes vendore. Në datën 2 tetor vazhdojmë me shqyrtimin në parim të projektligjit dhe me prezantimin e gjetjeve të konsultimit publik”, tha Manja.

Manja informoi se sipas ligjit, konsultimi 60-ditor publik mbyllet në 29 shtator.

“Në datën 5 tetor është lënë miratimi në tërësi dhe nen për nen i projektligjit në komision dhe në datën 8 tetor i kalon seancës plenare”, informoi Manja.

Nga ana e tij deputeti i Partisë Demokratike Oerd Bylykbashi vuri në dukje se ndarja territoriale është një nga ligjet me efekt kushtetues themelor për mënyrën e funksionimit të vendit, jo vetëm në aspektin administrativ por edhe në aspektin demokratik.

Ai akuzoi mazhorancën se në zgjedhjet e ardhshme lokale të vitit 2027, po kërkon të ndryshojë rregullat dhe sistemin me të cilin funksionon pushteti vendor.

Një proces i tillë, sipas Bylykbashit kërkon një konsultim të thellë, shumë të kujdesshëm që nuk ka ndodhur.

“Parlamenti ngriti komisionin për reformën territoriale dhe ky komision nuk e mbaroi punën e ti. Ka bërë 1/3 e punës dhe nuk përmbylli fazën e konsultimit. Ndërkohë u refuzua shtyrja e mandatit të tij. Komisioni nuk përcaktoi as parime, as kritere dhe as metodologji. Ju parashikoni prezantimin e gjetjeve të komisionit në 2 tetor, por komisioni nuk ka miratuar asnjë analizë apo raport gjetjesh. Pse e dështuar komisionin e reformës territoriale? Ka më tepër rëndësi që të hartoni hartën territoriale për të fituar zgjedhjet në tavolinë duke ndryshuar rregullat e lojës, apo mënyra se si qeveriset pushteti vendor dhe sa afër qytetarëve është ai”, tha Bylykbashi.

1 nga 4

/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›