E Hënë, 2 Nëntor 2026

Miratohet ndërtimi i dy centraleve fotovoltaike në Gramsh dhe Devoll, rritet kapaciteti i një centrali në Fier

TIRANË, 19 qershor /ATSH/ Këshilli i Ministrave ka miratuar në mbledhjen e sotme dy vendime për ndërtimin e centraleve gjeneruese të energjisë elektrike nga burime fotovoltaike në bashkitë Gramsh dhe Devoll.

Sipas vendimeve, projekti në Bashkinë Devoll, Qarku Korçë, do të zhvillohet nga shoqëria “DEVOLLI SUNPOWER”, sh.p.k., me një kapacitet të instaluar prej 15 MW.

Afati i ndërtimit dhe vënies në operim parashikohet brenda 36 muajve nga hyrja në fuqi e vendimit, ndërsa afati i operimit është 49 vjet. Projekti nuk është objekt koncesioni dhe nuk përfiton nga masat mbështetëse.

Ndër detyrimet e përcaktuara në vendim përfshihen raportime periodike çdo tre muaj për ecurinë e punimeve, dorëzimi i garancisë së kontratës në masën jo më pak se 5% të investimit, respektimi i kushteve mjedisore dhe pagesa në formë royalty prej 2% të prodhimit vjetor të energjisë ose ekuivalentit financiar në buxhetin e shtetit.

Po ashtu, është miratuar edhe ndërtimi i një centrali tjetër fotovoltaik në Bashkinë Gramsh, Qarku Elbasan, nga shoqëria “ONE SOLAR”, sh.p.k., me kapacitet të instaluar 11,5 MW, në zonat kadastrale të fshatrave Drizë, Gjergjovinë dhe Cingar i Poshtëm, njësia administrative Pishaj.

Ky projekt gjithashtu parashikon afat ndërtimi 36 muaj dhe operim për 49 vjet, si dhe detyrime të ngjashme për raportim, garanci kontrate, respektim të standardeve mjedisore dhe pagesë royalty prej 2% të prodhimit vjetor të energjisë elektrike.

Gjithashtu Këshilli i Ministrave ka miratuar një ndryshim në vendimin, lidhur me projektin e centralit gjenerues të energjisë elektrike fotovoltaike “Blue 2”, në zonën Sheq-Marinas, Bashkia Fier.

Sipas vendimit të ri, është ndryshuar pika që përcakton kapacitetin e instaluar të impiantit, duke e rritur atë në 100 MW. Projekti nuk përfiton nga masat mbështetëse shtetërore dhe vijon të zhvillohet nga shoqëria “SPV BLUE 2”, sh.p.k.

Centrali fotovoltaik “Blue 2” është miratuar fillimisht në vitin 2021 dhe zhvillohet në kuadër të politikave për rritjen e kapaciteteve të prodhimit të energjisë nga burime të rinovueshme në vend.

/gj.m/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›