E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Miratohet rimbursimi i transportit të mësuesve dhe nxënësve që banojnë larg shkollave

TIRANË, 24 prill/ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi sot disa shtesa e ndryshime në vendimin “Për përdorimin e fondeve publike për transportin e punonjësve arsimorë që punojnë dhe të nxënësve që mësojnë jashtë vendbanimit”, sipas të cilit atyre do t’ju paguhet transporti.

Sipas ndryshimeve në këtë vendim, nxënësve që ndjekin procesin mësimor në IAP-të publike të arsimit bazë ose kopshtet publike, që udhëtojnë nga adresa e vendbanimit të përhershëm mbi 2 km larg IAP-ve publike më të afërta (shkollë/kopsht) dhe në këtë vendbanim nuk u ofrohet transport qytetës.

Zyrat vendore të arsimit parauniversitar (ZVAP), bazuar në informacionin që marrin nga drejtuesit e IAP-ve publike, dërgojnë, pranë njësive të vetëqeverisjes vendore, të dhëna për numrin e fëmijëve/nxënësve dhe të punonjësve arsimorë të tyre, që planifikohen të përfitojnë nga shërbimi i transportit, sipas kritereve të përmendura në pikën 1 të këtij vendimi.

Njësitë e vetëqeverisjes vendore miratojnë, brenda muajit tetor, linjat dhe oraret e transportit rrethqytetës për realizimin e këtij shërbimi në vitin e ardhshëm buxhetor, duke u bazuar në informacionin që u dërgohet nga ZVAP-të dhe ofruesit e arsimit profesional publik sipas kësaj pike.

Drejtoritë rajonale të arsimit parauniversitar (DRAP) realizojnë procedurën e prokurimit publik brenda muajit nëntor për vitin e ardhshëm buxhetor, mbështetur në kërkesat zyrtare të dërguara nga ZVAP-të.

Ofruesit e arsimit profesional publik dërgojnë, brenda muajit tetor të çdo viti shkollor, pranë njësive të vetëqeverisjes vendore, listat për numrin e nxënësve dhe të punonjësve arsimorë të tyre, që planifikohen të përfitojnë nga shërbimi i transportit, sipas kritereve të përmendura në pikën 1 të këtij vendimi, për miratimin e linjave dhe të distancave të transportit rrethqytetës.

Në vendim sqarohet se përllogaritja e fondeve që prokurohen kryhet mbi bazën e numrit të ditëve mësimore, numrit të punonjësve arsimorë, që përfitojnë shërbim transporti, vetëm për ata punonjës arsimorë që udhëtojnë brenda linjave të transportit rrethqytetës, numrit të nxënësve që përfitojnë shërbimin e transportit dhe të tarifës/çmimit të biletës për linjat rrethqytetëse të transportit, të cilat subvencionohen bazuar në ligjin “Për transportet rrugore”, të ndryshuar, sipas distancave dhe tarifave të miratuara me vendimin “Për përcaktimin e tarifave të transportit rrugor ndërqytetës të udhëtarëve me autobus”, duke shtuar, vetëm për nxënësit/fëmijët e arsimit të përgjithshëm, edhe 50 (pesëdhjetë) për qind mbi çmimin e biletës, si dhe në bazë të akteve të tjera ligjore e nënligjore në fuqi.

Gjithashtu ZVAP-të, mbështetur në të dhënat e dërguara nga drejtuesit e institucioneve arsimore parauniversitare, paguajnë çdo muaj shpenzimet e transportit të nxënësve dhe të punonjësve arsimorë, nëpërmjet llogarive bankare në bankat e nivelit të dytë të prindërve të nxënësve, kujdestarëve ligjorë apo të përfituesve me prokurë të posaçme dhe të punonjësve arsimorë të institucioneve publike, ose nëpërmjet shërbimit postar, vetëm për ato zona ku shërbimi bankar mungon apo është jo lehtësisht i aksesueshëm, në përputhje me pikën 2 të këtij vendimi, deri në dërgimin e kontratës së nënshkruar nga DRAP-ja me operatorët ekonomikë për realizimin e shërbimit të transportit.

ZVAP-të dhe ofruesit e arsimit profesional publik kryejnë pagesat vetëm për ditët e punës të realizuara në fakt nga punonjësit arsimorë dhe ditët që nxënësit kanë ndjekur procesin mësimor, konfirmuar zyrtarisht nga drejtuesit e IAP-ve publike, në përputhje me planin mësimor vjetor të miratuar nga ministri përgjegjës për arsimin.

Ndërkohë që punonjësit arsimorë, të cilët janë punësuar në IAP-të publike të arsimit të përgjithshëm, kur punojnë jashtë qendrës urbane, në distancë nga vendbanimi i tyre mbi 50 km, dhe kthehen brenda ditës në vendbanim, përfitojnë fonde publike për mbulimin e shpenzimeve të transportit, sipas pikës 1 të këtij vendimi, si dhe përfitojnë kompensim mujor, sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e strukturës dhe të niveleve të pagave të punonjësve mësimorë dhe të punonjësve të tjerë jomësimorë në institucionet arsimore dhe në institucionet plotësuese të sistemit arsimor parauniversitar”.

Punonjësit arsimorë, të cilët janë punësuar në IAP-të publike, në distancë nga vendbanimi mbi 50 km, të cilët nuk kthehen brenda ditës në vendbanim, që nuk përfitojnë fonde publike për mbulimin e shpenzimeve të transportit, sipas këtij vendimi, përfitojnë kompensim mujor.

Për bashkitë, me të cilat ministria përgjegjëse për arsimin ka lidhur marrëveshje për kalimin e përgjegjësive në fushën e arsimit parauniversitar, sipas kohëzgjatjes së tyre, transporti për punonjësit arsimorë dhe fëmijët/nxënësit, sipas përcaktimeve të këtij vendimi, sigurohet nga bashkitë ku ndodhen institucionet arsimore parauniversitare, që shkojnë punonjësit arsimorë dhe fëmijët/nxënësit.

Ministria përgjegjëse për arsimin transferon fondet e nevojshme te njësitë e vetëqeverisjes vendore, të cilat përllogariten mbi bazën e numrit të ditëve mësimore të planifikuara, të numrit të punonjësve arsimorë, të numrit të nxënësve që ndjekin arsimin parauniversitar dhe të çmimit mesatar të biletës, sipas distancave dhe tarifave të miratuara me vendimin e Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e tarifave të transportit rrugor ndërqytetës të udhëtarëve me autobus”.

Zyrat vendore të arsimit parauniversitar monitorojnë realizimin e procedurave nga bashkitë përkatëse dhe raportojnë në ministrinë përgjegjëse për arsimin në çdo 4 muaj, si dhe në përfundim të vitit shkollor.

Përjashtimisht, për vitin shkollor 2024-2025, njësitë e vetëqeverisjes vendore realizojnë procedurat ende të pakryera nga DRAP-të dhe ZVAP-të, sipas këtij vendimi.

Për zbatimin e këtij vendimi ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit, Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, drejtoritë rajonale të arsimit parauniversitar, zyrat vendore të arsimit parauniversitar, ofruesit e arsimit profesional publik dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.

/k.s/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›