E Hënë, 2 Nëntor 2026

Mirditë, minatorët e Spaçit në protestë për shkak të pasigurisë në punë dhe pagave të ulëta

Rreth 70 punonjës të minierës së bakrit në Spaç të Mirditës janë ngritur në protestë prej tre ditësh, duke bojkotuar punën në shenjë pakënaqësie për kushtet e punës dhe pagat minimale.

Minatorët i kanë paraqitur një sërë kërkesash kompanisë koncesionare turke “Tete Albania”, por negociatat mes palëve kanë dështuar, duke thelluar tensionet në vendin e punës.

“Kërkojmë shumë të drejta të cilat që kur i kemi kontratat me kompaninë nuk i zgjidhim dot”, u shpreh një prej minatorëve.

“Kushtet janë të vështira, prania e tymit, prania e gazit etj.”, tha një minator tjetër.

Në mbështetje të protestës janë bashkuar edhe përfaqësues të Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë, të cilët kanë paralajmëruar nisjen e një greve urie pa afat nëse kërkesat e minatorëve nuk merren ne konsiderate.

“Kemi shpallur një grevë të përgjithshme e cila do të filloj në 7 mëngjesit dhe do të jetë pa afat”, theksoi Kol Nikollaj, president i KSSH.

Minatorët i kanë kërkuar ndërhyrje edhe Agjencisë Kombëtare të Punësimit, e cila ka ndërmjetësuar një takim mes palëve, por pa rezultat konkret.

Ndërkohë, kompania “Tete Albania”, e kontaktuar për këtë çështje, i ka cilësuar kërkesat e minatorëve si “antiligjore”, duke mohuar akuzat dhe pretendimet e ngritura ndaj saj.

Gazetare: Flutura Tota

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›