Mirëmbajtja estetike e akseve rrugore, Balluku: Pjesë e projektit të ri të ARRSH-së

Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) ka nisur një projekt të ri për mirëmbajtjen estetike të akseve rrugore, një iniciativë që synon të përmirësojë sigurinë dhe pamjen estetike të rrugëve kombëtare, duke krijuar kushte më të mira për qytetarët dhe vizitorët që vijnë nga jashtë.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, deklaroi se ka ardhur koha për të integruar një element shumë të rëndësishëm për qytetarët dhe turistët, jo vetëm rrugë të sigurta, por edhe rrugë që plotësojnë standardet estetike. Ajo theksoi se ARRSH-ja ka shtuar si përgjegjësi të saj edhe përmirësimin e aspektit estetik të akseve kombëtare, duke përfshirë pastrimin, lyerjen me bojë fosforeshente dhe gjelbërimin.
“Ka ardhur momenti për të pasur një element shumë të rëndësishëm për qytetarët dhe vizitorët që vijnë nga jashtë. Nuk duhen vetëm rrugë të sigurta, por edhe rrugë që plotësojnë kushtet estetike. ARRSH-ja ka shtuar si përgjegjësi të saj edhe aspektin estetik të akseve kombëtare. Pastrimi, lyerja me bojë fosforeshente dhe gjelbërimi janë pjesë e sigurisë, por edhe estetikës së rrugës.
Këtu ndodhemi në rrethrrotullimin e Rinasit dhe kjo është hyrja jo vetëm e Tiranës, por e Shqipërisë, dhe është një pikë e rëndësishme prezantimi ku estetika luan një rol të veçantë, dhe gjelbërimi është një nga elementët më të rëndësishëm. Në akset kryesore do të ketë gjelbërim të tyre”, tha Balluku.
Ministrja Balluku bëri të ditur se sfida kryesore mbetet pastrimi i mbeturinave, që ishte dhe një nga problematikat e sezonit veror 2025. Projekti për mirëmbajtje estetike, tha Balluku, do të adresojë edhe këtë problematikë.
“Gjatë verës 2025, do të përballemi me pastrimin e akseve rrugore. Kompanitë e mirëmbajtjes ndërhyjnë herë pas here, por fokusi i tyre është ruajtja e sigurisë rrugore dhe shtresave asfaltike, si dhe sinjalistika, por nuk mund t’u kërkojmë që të mbledhin mbeturinat gjatë gjithë kohës. Ky është një fenomen që ndodh, sidomos nga turistët. Unë dua të them se drejtuesit shqiptarë të automjeteve sillen më mirë se çdo drejtues tjetër. Edhe pjesa e pastrimit është pjesë e mirëmbajtjes estetike dhe kemi zgjidhur edhe një problem tjetër”, tha Balluku.
Ky projekt i ri pritet të ketë një ndikim të dukshëm në përmirësimin e infrastrukturës rrugore dhe të shërbejë si një pasqyrë pozitive e zhvillimit të Shqipërisë për vizitorët dhe qytetarët e saj.
/rtsh.al/