E Martë, 3 Nëntor 2026

Mjekët po ikin më pak, Urdhri i Mjekut: Ka mjekë të rinj që rikthehen dhe aplikojnë në spitalet shtetërore

Frenohet ikja e mjekëve shqiptarë drejt vendeve të Bashkimit Europian për të punuar dhe jo vetëm.

Në 6-mujorin e parë të këtij vihet re një rënie e numrit të mjekëve që kanë kërkuar tërheqjen e certifikatës së sjelljes së mirë pranë Urdhrit të mjekëve, dokument pa të cilin nuk mund të punësohen në asnjë klinike mjekësore të huaj, jashtë Shqipërisë .

“Një vit më pare kishte 146 mjekë që kërkuan certifikatën e sjelljes së mirë që presupozohet se e kërkojnë për t’u punësuar në klinika të vendeve jashtë Shqipërisë. Këtë vit ka një rënie. Janë vetëm 46 certifikata të lëshuara për 6-mujorin e parë të vitit”, tha Dritan Trepça, president i Këshillit Kombëtar të Urdhrit të Mjekëve.

Sipas presidentit të Urdhrit të Mjekut tanimë, vihet re një tjetër trend, ai i kthimit të mjekëve të rinj që janë larguar, për t’u regjistruar në portalin e punësimit të mjekëve për në sistemin shëndetësor publik.

“Vihet re një kthim i mjekëve të rinj të cilët pasi kanë marrë një farë eksperience jashtë, kthehen dhe aplikojnë në portal për të hyrë në sistemin publik shëndetësor”, u shpreh Trepça.

Nga ana tjetër ka një shtim të mjekëve të huaj të cilët zgjedhin klinika mjekësore jopublike për të ofruar shërbim shëndetësor në Shqipëri. Fenomeni i largimit te bluzave të bardha mbetet një shqetësim serioz jo vetëm për sistemin shëndetësor shqiptar por dhe për shume vende të Europës dhe jo vetëm.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›