E Martë, 3 Nëntor 2026

Mjekja Tako për ATSH-në: Si të shmangim goditjen nga vapa dhe rreziqet shëndetësore, veçanërisht te grupet e riskuara

TIRANË, 9 qershor /ATSH-Ermira Isufaj/ Java ka nisur me temperatura përvëluese dhe sipas parashikimit të Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, dita e sotme pritet të shënojë edhe ditën me temperaturat më të larta të javës, që parashikohet të shkojnë deri në 38 gradë celsius.

Me ardhjen e verës dhe rritjen e temperaturave, përditshmëria kthehet në një angazhim sfidues sidomos për gratë shtatzëna, fëmijët e vegjël apo të sëmurët kronikë me sëmundje të zemrës, diabetit, hipertensioni apo për të sëmurët astmatikë.

Drejtuesja e Qendrës Shëndetësore Nr.10 në Tiranë, mjeke specialiste e familjes, Silvana Tako në një prononcim për ATSH-në ndan disa këshilla dhe sugjerime, se si të mbroni veten nga vapa dhe përgjatë gjithë sezonit veror.

Mjekja Tako thotë se si fillim që të mbrohesh nga vapa do të thotë të shmangësh dehidratimin dhe goditjen nga i nxehti.

“Për të shmangur vapën e madhe dhe mbrojtjen që i duhet gjithkujt në këto ditë të nxehta vere, duhet të qëndrojmë në ambiente të freskëta nga ora 11.00 deri në orën 17.00. Duhet të konsumojmë sa më shumë ujë, çdo 30-60 minuta deri në dy litra ujë në ditë, ndërsa këshillohet të shmanget përdorimi i alkoolit, kafeinës dhe pijeve me gaz që shkaktojnë dehidratim. Duhet të visheni sa më lehtë, me rroba pambuku me ngjyra të çelëta”, thotë Tako, teksa këshillon që në oraret kur duhet të jeni të ekspozuar në ambiente të jashtme, duhet të mbani kapele me strehë të gjatë, çadra dhe syze dielli.

Tako thotë se gjendja quhet e përkeqësuar kur pacienti ka temperaturë të lartë të trupit mbi 39, lëkurë të thatë, marramendje ekstreme, konfuzion, frymëmarrje të shpeshtë ose puls të dobët, rrahje të zemrës të çrregullt, mund të ketë ndjenja të fikti, humbje të vetëdijes, ose shkallë të thellë të dehidrimit që manifestohet me urinë në ngjyrë të errët, gojë të thatë, mungesë djersitjeje.

Nëse vëreni këto shenja, mjekja këshillon që të kërkoni menjëherë shërbim në qendrën më të afërt shëndetësore pranë qendrës suaj të banimit, ose në urgjencë.

Sipas mjekes Tako, grupet më të riskuara nga temperaturat e larta janë personat e moshuar, fëmijët e vegjël, gratë shtatzëna dhe pacientët me sëmundje kronike, si ata që vuajnë nga zemra, diabeti etj. Mjekja thotë se duhet të tregohet kujdes i shtuar nëse vërehen simptomat e para si dhimbje koke, marrje mendsh, tharje e gojës etj.

Për mjeken Tako, një nga kategoritë e tjera më të riskuara gjatë verës janë edhe të sëmurët astmatikë që pësojnë kriza astmatike për shkak të vapës.

Drejtuesja e Qendrës Shëndetësore Nr.10 në Tiranë, Silvana Tako shprehet se problemi kryesor gjatë vapës me këtë kategori pacientësh është ajri i nxehtë dhe i lagësht, nivelet e larta të ozonit dhe ndotjes, poleni dhe pluhuri, djersitja dhe dehidratimi dhe lodhja e shpejtë e trupit. “Këto janë shkaktarët kryesorë të krizës astmatike. Këta persona duhet të ulen në vende të freskëta, të marrin ilaçin shpëtues apo ventolinën dhe me një apo dy spërkatje ta përsërisin çdo 20 minuta. Nëse nuk kanë përmirësim duhet të paraqiten pranë mjekut të familjes, të qëndrojnë në shtëpi gjatë pikut të vapës dhe të rrinë në vende të freskuara mirë”, vijon ajo.

“Nxehtësia, lagështia dhe ndotja e ajrit janë faktorët që përkeqësojnë frymëmarrjen dhe shkaktojnë shtrëngim të rrugëve të frymëmarrjes. Këta persona, nëse kanë frymëmarrje me fishkëllimë, kollë të vazhdueshme gjatë natës apo ekspozimit në vapë, shtrëngim në gjoks, marramendje, ose vështirësi në të folur, buzë të mavijosur ose gishta me ngjyrë blu duhet të paraqiten menjëherë pranë mjekut të familjes. Këto janë shenjat kryesore të krizës astmatike”, pohon Tako për ATSH.

Drejtuesja e Qendrës Shëndetësore Nr.10 ka edhe një apel për pushuesit që kanë zgjedhur t’i kalojnë këto ditë të nxehta në plazh.

Ajo sugjeron që të shfrytëzohen orët e para të mëngjesit deri në orën 11.00 dhe pas orës 17.00.

Mjekja thotë se nuk duhet neglizhuar lyerja e trupit dhe fytyrës me krem me faktorë mbrojtës 50+, të konsumohet sa më shumë ujë dhe të qëndrohet poshtë çadrave në hije, si edhe të shmanget aktiviteti fizik gjatë pikut të vapës.

Ndërkohë, Tako pohon se Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka përforcuar shërbimin e Urgjencës Kombëtare në qendrat shëndetësore dhe spitalore, por edhe në zonat turistike dhe urbane të mbipopulluara.

“Aktivizimi i planit kombëtar të mbrojtjes nga valët e të nxehtit dhe bazuar në udhëzimet e OBSH përfshin monitorim të motit ekstrem në bashkëpunim me IGJEUM, qendrat shëndetësore verore të përforcuara në zonat turistike dhe bregdetare. Ekipet e urgjencës së lëvizshme, autoambulancat për ndërhyrje të shpejtë në raste emergjente në terren et”, nënvizoi Tako.

Drejtuesja e Qendrës Shëndetësore Nr.10, Silvana Tako thekson në intervistën për ATSH se në bashkëpunim me bashkitë në rrethe janë ngritur tenda freskuese dhe stacione me ujë në disa sheshe publike siç janë Tirana, Durrësi, Vlora në qytete që janë të mbipopulluara.

/a.g/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›