Mjeku i punës, rol i munguar në institucionet shtetërore. ISHP nis certifikimin dhe licencimin e tyre

Nëse çdo vend pune do të kishte një mjek, atëherë mungesat për arsye shëndetësore do të ishin më të pakta, rastet emergjente do të kapeshin në kohë dhe sëmundjet afatgjata do të parandaloheshin. Por ky rol jo gjithmonë është aktiv.
ISHP vlerëson nga monitorimet e kryera se institucionet shtetërore pothuajse janë pa një mjek në vendin e punës.
Përgjegjës i Sektorit të Shëndetit në Punë, Instituti i Shëndetit Publik, Dritan Bala – u shpreh për RTSH se:
“Sektori privat është më mirë sesa sektori shtetëror për mjekët e punës. Për mos thënë aspak, por shumë pak në sektorin shtetëror kanë mjek pune.”
Por si funksionon mjekësia e punës?
“Ndërmarrjet që kanë mbi 750 punonjës dhe kanë specifika të punës që janë të vështira duhet ta kenë mjekun permanent. Ndërsa ndërmarrjet e tjera që kanë mbi 1500 duhet të kenë mjek permanent. Por nuk përjashtohet që një person fizik, i vetëpunësuar, të ketë kontratë me një mjek pune. Duhet patjetër që çdo punonjës të ketë kontratë me një mjek pune.”
Raporti i aftësisë për punë që lëshon mjeku i familjes është i vlefshëm për tre muaj në nisje të një procesi, më pas është mjeku i punës që e bën këtë vlerësim.
“Plotëson kartelën e punëmarrësve, vlerëson riskun, bën vizitën periodike, bën qëndrimin e riskut për pozicionin që bën punonjësi.”
Bazuar në strategjinë 2025-2030 për sigurinë dhe shëndetin në punë, të jesh mjek pune nuk mjafton vetëm një diplomë dhe një licencë nga urdhri, por duhet t’i nënshtrohet një trajnimi të mirëfilltë.
“Strategjia 2025-2030 për sigurinë dhe shëndetin në punë e ka parashikuar që Instituti i Shëndetit Publik do të trajnojë dhe certifikojë mjekët e punës.”
Aksidentet në vendin e punës, të cilat u rritën ndjeshëm vitin e kaluar, mund të ishin parandaluar nëse mjekët në vendin e punës do të kryenin vlerësimet e riskut në mënyrë korrekte.
Gazetare: Sonila Mlloja
/rtsh.al/