E Hënë, 2 Nëntor 2026

Mjeku neurokirurg punësohet në QSUNT: U riktheva për të dhënë kontribut në vendin tim

TIRANË, 28 tetor/ATSH/ Neurokirurgu Klaudio Disha i është bashkuar prej ditës së sotme ekipit të shërbimit të Neurokirurgjisë, pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

Lajmin e ka ndarë Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, në një njoftim në rrjetet sociale. Në njoftim theksohet se mjeku Disha i është bashkuar ekipit të Neurokirurgjisë në QSUNT për të dhënë kontributin e tij në trajtimin e pacientëve dhe forcimin e kapaciteteve profesionale në këtë fushë të specializuar.

Doktor Disha, pas prezantimit me shefin e Neurokirurgjisë në QSUNT, Artur Xhumari, firmosi kontratën e punësimit në prani edhe të drejtoreshës së QSUNT, Anxhela Paparizo.

Në videomesazhin e publikuar në rrjete sociale, mjeku neurokirurg Klaudio Disha u shpreh se ka mbaruar studimet në Universitetin shtetëror në Sofje të Bullgarisë.

“Prej vitit 2021 punoj pranë Spitalit Memorial në Fier ku realizojmë ndërhyrjet e trombektomisë mekanike dhe aspiratave. Prej ditës së sotme kam filluar punë në QSUNT pranë spitalit të Neurologjisë, ku fokusi im është trajtimi endovaskular i trombozave për pacientët e Tiranës dhe më gjerë. Pas studimeve për mjekësi në Sofje jam rikthyer për të dhënë kontributin në vendin tim”, tha Disha.

/e.i/a.f/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›