E Diel, 1 Nëntor 2026

“Morëm porosi të vrisnim vëllanë e Talo Çelës, por ne s’donim dhe Nuredini e kuptoi”, Skerdi Tase: Paratë për vrasjen e Emiljano Ramazanit na i solli Klara

Bashkëpunëtori i drejtësisë, Skerdi Tase dëshmoi për herë të parë në GJKKO ditën e sotme. Në dëshminë e tij ai tregoi se pasi dështoi të ekzekutonte Aredin Beharin, u largua për disa kohë në Gjermani.

Tase tregoi se me Henrik Hoxhajn, të cilin e kishte njohur përmes një miku të përbashkët u takua në vitin 2020. Bashkëpunëtori i drejtësisë zbuloi gjithashtu se kishin marrë porosi për të vrarë vëllanë e Talo Çelës, Bujar Çelën. Sipas Tases, nuk donin që ta vrisnin Bujar Çelën dhe se Nuredin Dumani, të cilit Henriku i referohej me emrin “kusho” e kishte kuptuar këtë gjë.

Skerdi Tase: Pas atentatit të dytë ndaj Aredin Beharit, ika disa muaj në Gjermani. Me Henrikun u takova në vitin 2020, kur ai ishte vënë në kontakt edhe me Nuredin Dumanin. Henriku më tha: “I ke parë 4 vrasjet në Durrës? Kam marrë pjesë edhe unë. Pse ike? Do kishe marrë ndonjë lek?” Henriku ishte në merak se mund t’i dilte ndonjë gjë për vrasjet, sidomos për vëllezërit Haxhia, pasi mund të kishte mbetur ndonjë gjurmë gjaku në makinë. Më pas mora vesh që “Kusho” që Henriku i referohej ishte Nuredin Dumani. Fillimisht mu ofrua të merrja pjesë në vrasjen e vëllait të Talo Çeles, Bujar Çeles. Morëm 5 mijë euro kapar diku në një fshat të Peqinit. Na treguan makinën që lëvizte Bujar Çela, por ne nuk donim ta vrisnim, dhe kur e shikonim, e anashkalonim. Nuredini e kuptoi më pas.

Tase rrëfen edhe si u ekzekutua Emiljano Ramazani. Sipas tij, shpërblimi i premtuar për vrasjen ishte 130 mijë euro, ndërsa vetë kishte marrë 23 mijë euro, të dorëzuara nga një grua me emrin Klara.

Tase rrëfeu se viktima ishte ndjekur për disa ditë dhe ekzekutimi ndodhi pranë banesës së Ramazanit, ku Tase i është afruar dhe e ka qëlluar disa herë me armë zjarri. Më pas, autorët kanë djegur makinën dhe janë larguar në drejtim të Rrogozhinës, ndërsa arma e krimit u fsheh për t’u përdorur më vonë për të implikuar një tjetër person.

Skerdi Tase: Pastaj vendosëm të merrnim pjesë te vrasja e Emiljano Ramazanit, pasi kur po e ruanim Bujar Çelën një herë na u identifikua makina “Passat” që po përdornim. Për Emiljano Ramazanin jepeshin 130 mijë euro, këtë kohë shkonim përdit në Elbasan, përdornim makina me qira, makinën e atentatit e kishte siguruar Erion Alibej me Nuredin Dumanin. Kishim 4 armë, 2 kallash dhe 2 pistoleta. Ditën e ngjarjes jemi nisur herët për në Elbasan, na vinin informacione nga Nuredini “është në palestër, është këtu, është atje”.

Në palestër s’na u duk e përshtatshme për ta vrarë dhe e lamë kur të vinte te shtëpia. E pritëm te pallati, sapo ai parkoi, zbrita nga makina, Henriku ishte shofer, iu afrova dhe e qëllova disa herë në kokë dhe në qafë me pistoletë.

Dogjëm makinën dhe u larguam me makinën me qira që kishim ardhur nga Tirana. I ramë nga Rrogozhina. Armën e krimit e lamë në një vend rrugës, që e dinte Nuredini, pasi do vendosej diku për të akuzuar një person tjetër. Kam marrë 23 mijë euro për vrasjen, edhe pse sipas muhabetit, na binte nga 60 mijë. Paratë i solli një grua, Klara. Henriku më tha emrin e saj.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›