Mori foshnjën në komision, Gjuzi: Jo akt dobësie, por mesazh për kushte më të mira për përfshirjen e grave në jetën publike

Deputetja e Partisë Socialiste, Ilva Gjuzi, mori pjesë në mbledhjen e Komisionit për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm, duke mbajtur në krah foshnjën e saj. Ky veprim i pazakontë për skenën politike shqiptare solli vëmendje dhe reagime të ndryshme.
E ftuar në një lidhje të drejtpërdrejtë në emisionin “Në kohë reale” në RTSH 1, Gjuzi u shpreh se nuk e konsideron të pazakontë praninë e fëmijës në një ambient pune.
Ajo theksoi se ky gjest nuk duhet parë si një akt dobësie, por si një mesazh për shoqërinë dhe institucionet që të krijojnë kushte më të mira për përfshirjen e grave, veçanërisht nënave, në jetën publike dhe politike.
“Nuk e shikoj si një çështje halli të marrit fëmijën në punë, përkundrazi e shoh si një mundësi shumë të mirë për të dhënë një shembull që këto hallet që burrat nuk i ndajnë dot, sepse një burrë që ka fëmijë nuk kritikohet nga ana profesionale, sepse grave u ndodh kjo. Kush ka fëmijë nuk bën politik dhe kjo është e para, e dyta raporti që qëndron midis nënave dhe fëmijëve nuk është i njëjtë me atë të baballarëve dhe fëmijëve. Për mua Kuvendi është vendi i punës dhe atë angazhim që kam marrë, pikërisht sepse kam aftësinë për ta bërë por nga ana tjetër në të gjithë mediatizimin e kësaj, që për mua është normale”, u shpreh deputetja.
/rtsh.al/