E Hënë, 2 Nëntor 2026

Mosmarrëveshje për Asociacionin dhe zbatimin e marrëveshjes së Ohrit – Raundi i ri i dialogut Kosovë-Serbi, pa rezultat

Raundi i fundit i dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel u mbyll pa arritur përparim. Kosova kërkoi zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit, ndërsa Serbia insistoi që fillimisht të zbatohet vetëm çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se kishte kërkuar fillimin e punës së komisionit për të pagjeturit, por Serbia refuzoi.

“Në pikën e parë fatkeqësisht nuk arritëm të kryejmë misionin tonë, pra themelimin e Komisioni të të pagjeturve për arsye se Serbia është tërhequr nga marrëveshja për temat e referencës, të cilat i kemi përfunduar në fund të dhjetorit të vitit të kaluar, duke thënë se duhet edhe një herë të ndërhyjnë në dolument, që nuk është pranuar as nga pala jonë e as nga Brukseli”, theksoi Bislimi.

Sipas Bislimit, Serbia kërkoi të ndryshojë termat e referencës për komisionin, gjë që nuk u pranua nga pala kosovare dhe Bashkimi Evropian. Komisioni për të pagjeturit është pjesë e marrëveshjes së përbashkët që Kosova dhe Serbia ranë dakord në vitin 2023. Kosova ka ofruar tri propozime për të avancuar dialogun, por Serbia kërkon që fillimisht të themelohet Asociacioni.

Bislimi tha se Serbia po refuzon të diskutojë marrëveshjen bazë dhe po kërkon që Asociacioni të jetë parakusht për çdo hap tjetër.

Marrëveshja e Ohrit, që përmban 11 nene, parashikon vetëmenaxhim për komunitetin serb, njohje të simboleve shtetërore dhe ndalimin e bllokimit të anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Edhe pse marrëveshja nuk është nënshkruar, BE-ja e konsideron atë të detyrueshme për të dyja palët. Bislimi theksoi se Serbia ndërpreu bisedimet kur u diskutua për bllokimin e shpërndarjes së mjeteve për fermerët në Luginë të Preshevës.

Situata mbetet e tensionuar dhe pa një zgjidhje të afërt, ndërsa dialogu vazhdon me pengesa të mëdha. Palët duken larg një marrëveshjeje përfundimtare dhe normalizimi i marrëdhënieve mbetet një sfidë e madhe për rajonin.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›