Mostrajtimi i mbetjeve të rrezikshme, IKMT gjobit kompaninë “Albchrome” në Elbasan

TIRANË, 28 maj /ATSH/ Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka ndëshkuar me masë administrative gjobë dhe pezullim të përkohshëm të aktivitetit kompaninë “Albchrome”.
Drejtoria Rajonale e IKMT-së Elbasan kreu inspektim në këtë subjekt me fokus menaxhimin e mbetjeve dhe trajtimin e tyre.
Gjatë kontrollit është konstatuar se subjekti kishte të magazinuara në ambientet ku ushtron aktivitetin rreth 318 tonë mbetje të rrezikshme, të dala nga sistemi i pluhurkapësit.
Për këtë sasi mbetjesh, që konsiderohen të rrezikshme, subjekti nuk dispononte asnjë kontratë transferimi për evadimin, asgjësimin apo përpunimin e tyre.
Në zbatim të ligjit, IKMT ka vendosur dënimin me gjobë në vlerën 4 milionë lekë.
Gjithashtu, është marrë edhe dënimi administrativ me pezullim të aktivitetit deri në asgjësimin e plotë të mbetjeve sipas legjislacionit në fuqi.
/m.q/a.f/r.e/