E Hënë, 2 Nëntor 2026

Moti i keq – Në veri regjistrohet dëbora e parë. Anulohen lundrimet Durrës–Bari, probleme me energjinë në Lezhë

Vendi është përfshirë nga moti i keq me reshje shiu dhe temperatura të ulëta.

Në veri janë regjistruar edhe reshjet e para të dëborës. Në Shishtavec të Kukësit, dëbora ka shtrirë “petkun” e saj të bardhë, teksa nuk raportohen për probleme. Edhe në Mirditë, zonat mbi 1 mije metër nga niveli i detit janë përfshirë nga reshjet e dëborës.

Në qarkun e Lezhës, reshjet e dendura të shiut kanë krijuar probleme kryesisht në furnizimin me energji elektrike. Për shkak të dëmtimit të linjave në disa fshatra të Zadrimës, Shëngjinit, dhe Bregut të Mates ka ndërprerje të energjisë. Ndërkohë, grupet e punës të OSHEE ndodhen në terren për riparimin e defekteve.

Autoriteti Portual Durrës njofton se, për shkak të kushteve të motit në Detin Adriatik, lundrimet e parashikuara për ditën e sotme në linjën Durrës–Bari–Durrës janë anuluar. Ndërkohë, trageti i linjës Ankona–Durrës do të niset sipas programit pasditen e sotme nga Ankona, me mbërritje në Portin e Durrësit ditën e nesërme.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›