Moti i keq- Bashkia Shkodër i bën thirrje banorëve për kujdes të shtuar: 24 orët e ardhshme, vendimtare për menaxhimin e situatës

Autoritetet lokale kanë paralajmëruar se 24 orët e ardhshme do të jenë vendimtare për menaxhimin e situatës së krijuar nga moti i keq në Qarkun Shkodër.
Bashkia Shkodër u bën thirrje banorëve për kujdes të shtuar, sidomos në njësitë administrative Bërdicë, Dajç, Ana e Malit dhe Guri i Zi, ku rreziku i përmbytjeve mbetet i lartë.
Veçanërisht të rrezikuar janë banorët që jetojnë pranë rrjedhave ujore dhe territoreve të ekspozuara. Aktualisht nuk raportohen problematika, por monitorimi në terren vijon pa ndërprerje.
Në Malësinë e Madhe, situata është përmirësuar krahasuar me orët e paradites, ndërsa ekipet e bashkisë vazhdojnë të ndjekin nga afër zhvillimet. Në Vaun e Dejës, dalja nga shtrati e Përroit të Glinës ka shkaktuar prezencë uji, por tashmë ka nisur tërheqja e tij, duke sjellë përmirësim të situatës.
Ndërkohë, në bashkitë Fushë Arrëz dhe Pukë janë raportuar problematika të shkaktuara nga rrëshqitjet e dheut, duke vështirësuar qarkullimin në disa segmente.
Prefektura Shkodër ka njoftuar se të gjitha strukturat e emergjencave civile janë në gatishmëri të plotë dhe të përgatitura për ndërhyrje të menjëhershme, nëse do jetë e nevojshme.
/rtsh.al/