E Diel, 1 Nëntor 2026

Motrat humbin jetën në aksident, arrestohet shoferi, ishte i dehur dhe bëri parakalim të gabuar

Dy motrat Elvisa dhe Rozina Dhimaku, 22 dhe 20 vjeç janë viktimat e aksidentit që ndodhi mbrëmjen e të dielës në aksin Sarandë-Delvinë.

Dy vajzat po udhëtonin nga Delvina në drejtim të Sarandës kur 23-vjeçari Kevin Nora që drejtonte një “Audi”, u doli përballë në korsinë e tyre dhe u përplasën ‘kokë më kokë’.

Aksidenti rezultoi fatal për dy motrat të cilat humbën jetën si pasojë e plagëve të marra, ndërsa pasagjerja 24-vjeçare Antonela Zhupa që ishte në makinë me to ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

I riu Kevin Nora, që po udhëtonte nga Saranda në drejtim të Gjirokastrës rezulton se ka qenë i dehur në timon pas dy testeve të kryera nga policia në vendngjarje dhe për këtë arsye tashmë është vënë në pranga.

Kevin Nora ka tentuar të parakalojë me shpejtësi një mjet, duke kaluar në korsinë ku po udhëtonin dy vajzat dhe në  atë moment, për shkak të parakalimit të gabuar, dy mjetet janë përplasur kokë më kokë.

Përplasja ka qenë shumë e fortë saqë makinat janë bërë copash dhe njëra prej tyre është përmbysur në mes të rrugës.

Aksidenti tragjik i preu ëndrrat në mes 20-vjeçares, Rozina, e cila studionte për mjekësi.

Ndërkohë po mbrëmjen e së dielës dy aksidente të tjera ndohën në Fier dhe Bulqizë por fatmirësisht pa pasoja në jetë njerëzish.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›