Muaji i Ramazanit, Rama ndan fotoalbumin e darkës së Iftarit

TIRANË, 13 mars /ATSH/ Kryeministri Edi Rama shtroi edhe këtë vit iftarin tradicional në muajin e shenjtë të Ramazanit, në nderim të kësaj periudhe reflektimi dhe solidariteti.
Kryeministri ndau sot një fotoalbum nga mbrëmja e djeshme ku shtroi Iftar së bashku me bashkëshorten e tij, Linda Rama.
Në iftar morën pjesë përfaqësues të komuniteteve fetare, diplomatë, personalitete të jetës publike dhe figura të ndryshme publike, duke e kthyer iftarin në një moment simbolik bashkimi dhe dialogu.
Në fotoalbumin e publikuar shfaqet atmosfera e ngrohtë rreth sofrës së iftarit, ku të pranishmit u mblodhën për të ndarë këtë moment të rëndësishëm të muajit të Ramazanit, në një frymë respekti, bashkimi dhe solidariteti.
Rama dhe bashkëshortja e tij iu bashkuan besimtarëve në këtë darkë tradicionale, që shënon përfundimin e agjërimit ditor gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit për besimtarët myslimanë.
Në fjalën e tij, Rama theksoi se “sofra e iftarit është e vetmja sofër ku je njëkohësisht edhe mik edhe zot shtëpie”, duke e përshkruar atë si një hapësirë ku takohen njerëz me besime dhe përvoja të ndryshme.
Iftari është një moment i rëndësishëm i këtij muaji të shenjtë, që shoqërohet me lutje, reflektim dhe afrimitet mes familjarëve, miqve dhe komunitetit.
Shtrimi i sofrës së iftarit vjen si një mesazh për vlerat e bashkëjetesës, harmonisë fetare dhe respektit të ndërsjellë që karakterizojnë shoqërinë shqiptare.
/gj.m/j.p/