E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Muçi, një sezon pa fat/ Ylli kuqezi pësoi dëmtim në Superligën turke

Vështirë se do ta kishte menduar një sezon kaq të vështirë. Ernest Muçi po kalon probleme të të gjitha llojeve në Turqi, dhe përveç vështirësisë për të qenë pjesë e formacionit, qoftë tek Beshiktashi, apo edhe në kombëtare, ja ku erdhi dëmtimi.

Lojtari ofensiv 23-vjeçar pësoi lëndim në sfidën që skuadra e tij e humbi në shtëpi në Superligën turke, 0-2 ndaj Bashaksehirsporit.

Për fat, këtë herë trajneri Solskjer e zgjodhi titullar, por fati e braktisi në momentin më të mirë.

Muçi doli nga loja në minutën e 27-të dhe klubi stambolli informoi për gjendjen e tij me anë të një komunikate, së cilës iu referuan gazetat kryesore sportive.

“Fanatik” dhe “Foto Maç” njoftojnë se shqiptari ka tërheqje, këputje dhe hemoragji të brendshme në muskulin e kofshës. Nuk dihet saktësisht sesa kohë do të duhet për riaftësimin e tij, por padyshim që tek Beshiktashi do të tregohen të kujdesshëm.

Lojtari që ka shënuar 4 gola e shërbyer 2 asistë në 24 ndeshje në Superligë, dhe ka në total 7 rrjeta e dy pasime për gol në të gjitha konkurrimet, nuk do t’i nënshtrohet operacionit, ndërsa riaftësimi, siç njofton Beshiktashi, ka nisur. Shpresa dhe shanset janë që Muçi të mos rrezikojë ndeshjen e rëndësishme të kombëtares shqiptare ndaj Serbisë në “Arenën Kombëtare” në 7 qershor, për eliminatoret e Kampionatit Botëror. Deri në grumbullim ka ende 7 javë të paktën.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›